Të qenit gjithmonë në anën e “kërkuesit” nuk rezulton mirë. Të jesh në gjendje të ofrosh diçka në këmbim e bën jetën shumë më të lehtë, dhe sot, Italia e ka atë potencial – pikërisht për shkak të punës së jashtëzakonshme me Draghin në krye
Nga Nathalie TOCCI
Ditën që qeveria e tij u rrëzua, kryeministri italian Mario Draghi paralajmëroi parlamentin për ndërhyrjen ruse në sistemin demokratik të vendit. Dhe vetëm një javë më vonë, provat që tregojnë se Moska mund të ketë luajtur një rol në rënien e Draghit duke nxitur ministrat e partisë Liga që të largoheshin, filluan të dalin në sipërfaqe. Tani do të duhet të bëhet një hetim i thelluar për të zbuluar nëse Rusia ka ndërhyrë vërtet në politikën e brendshme italiane dhe duhet treguar kujdes. Megjithatë, është fakt që tre partitë që e tërhoqën ”prizën” qeverinë e koalicionit të Draghit janë pikërisht ato me lidhjet më të ngushta me Moskën: Lëvizja 5 Yjet e Giuseppe Conte, Liga e Matteo Salvinit dhe Forza Italia e Silvio Berlusconit.
Rastësi? Ndoshta. Por sido që të jetë, duke shkuar në zgjedhjet e këtij shtatori, një “valixhe e mbushur plot” e pret pozitën globale të Italisë pas Draghit. Presidenti rus Vladimir Putin nuk është adhurues i Draghit. Qeveria e tij dënoi pa rezerva pushtimin rus të Ukrainës, jo vetëm duke mbështetur qëndrimin se Rusia duhet ta humbasë këtë luftë, por edhe që Ukraina duhet ta fitojë atë.
Ai mbështeti ofertën e Ukrainës për kandidaturën në Bashkimin Evropian, duke luajtur një rol kyç në sjelljen e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron gjatë udhëtimit të tyre të përbashkët në Kiev në qershor. Ai ishte një arkitekt kryesor i sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, veçanërisht ato që synonin bankën qendrore të vendit. Dhe pavarësisht nga pacifizmi i rrënjosur i Italisë, ai ka qenë i palëkundur në mbështetjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën. Në mënyrë domethënëse, nën udhëheqjen e Draghit, Italia gjithashtu ka ecur shumë mirë me diversifikimin e energjisë. Në fillim të luftës, varësia e vendit nga gazi rus ishte rreth 40 për qind, por pas pesë muajsh, tani është vetëm rreth 10 për qind.
Duke pasur parasysh se shantazhi energjetik i Putinit është një pjesë qendrore në strategjinë e tij të luftës, gara e Italisë drejt diversifikimit të energjisë është një lajm i keq për Kremlinin. Nuk është për t’u habitur që Egjipti dhe Kongo u shfaqën në mesin e vendeve të vizituara nga Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov javën e kaluar.
Por ndërsa rënia e Draghit ndoshta u festua në Moskë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se qeveria e ardhshme e Italisë do të jetë një bekim për Kremlinin. Italia do të votojë më 25 shtator – dhe, natyrisht, shumë mund të ndryshojnë para kësaj – por sipas sondazheve, parlamenti i ardhshëm ka të ngjarë të shohë një rënie të ndikimit të partive pro-Kremlinit në krahasim me atë që po largohen. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se partitë pro-ruse nuk do të luajnë një rol në politikën e brendshme italiane. Nëse Vëllezërit e Italisë së Melonit del si partia më e fortë, Liga dhe Forza Italia pritet të hyjnë në një qeveri koalicioni me partinë. Por roli i tyre ndoshta do të reduktohet ndjeshëm në krahasim me pesë vitet e fundit.
Parë nga ky këndvështrim, pozicioni global i Italisë brenda familjes euroatlantike nuk do të vihet në pikëpyetje dhe në fakt mund të forcohet. Pra, a është gjithçka në rregull? Me siguri jo.
Teksa roli euroatlantik i Italisë mund të forcohet si rezultat i zgjedhjeve, roli i saj evropian mund të mos jetë i tillë. Draghi nuk është vetëm një evropian i përkushtuar, por ai është gjithashtu një evropian shumë i respektuar dhe kompetent. Tragjedia është se potenciali i Italisë për të luajtur lojën e BE-së është shumë më i lartë tani sesa ka qenë në dekada, pikërisht si pasojë e reagimit të Romës, nën drejtimin e Draghi, ndaj armatizimit të energjisë nga Rusia. Që nga kriza e eurozonës, Italia kishte qenë në anën e kërkesës së ekuacionit evropian. Kërkoi fleksibilitet fiskal gjatë krizës së borxhit sovran, ndarje të përgjegjësive gjatë krizës së migracionit dhe solidaritet gjatë pandemisë. Në dy rastet e para, ajo u refuzua në masë të madhe dhe me të tretën, ajo ka përfituar në mënyrë disproporcionale nga fondet Next Generation.
Por të qenit gjithmonë në anën e “kërkuesit” nuk rezulton mirë. Të jesh në gjendje të ofrosh diçka në këmbim e bën jetën shumë më të lehtë, dhe sot, Italia e ka atë potencial – pikërisht për shkak të punës së jashtëzakonshme me Draghin në krye.
Duke qenë në gjendje të ofrojë solidaritet për energjinë për vende si Gjermania, Italia do të kishte një shans më të mirë për të kërkuar rishikime të rregullave të Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes, një vazhdimësi të Next GenerationEU, ose hapa të mëtejshëm drejt një politike të përbashkët azili dhe migrimi. Megjithatë, transformimi i këtij potenciali në realitet kërkon një pjesë të madhe të kompetencës, besueshmërisë dhe udhëheqjes – pikërisht ajo që ka të ngjarë t’i mungojë qeverisë që doli nga zgjedhjet e këtij shtatori.
(Nathalie Tocci është drejtoreshë e Istituto Affari Internazionali, anëtare e bordit të ENI dhe autore e rubrikës së POLITICO World View)