A nuk do donim të gjithë që të qëndrojmë gjithmonë të bukur dhe t’i rezistojmë kohës, të kemi një lëkurë të bukur dhe të re, të kemi një hundë, buzë mollëza apo çdo tipar tjetër të këndshëm dhe estetik? Në luftën kundër kohës na vijnë mjekët estetistë, të cilët bëjnë të pamundurën të mundur duke ndaluar kohën dhe duke i dhënë freski tipareve tona. Një prej tyre është edhe Dr. Senera Hoxha, e cila është mjaft e përgatitur në fushën e saj dhe duke qenë kështu ajo vjen me këshillat e saj por edhe më lajme të mira për të gjithë ne në këtë intervistë për InfraRed të gazetës KOHA!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Dr. Senera, doktoreshë e kirurgjisë estetike dhe me disa vite eksperiencë në këtë fushë, sipas një mjeke e estetikës, çfarë do të thotë të jesh e bukur?
Përshëndetje dhe faleminderit për këtë intervistë! Të jesh sot në koherencë me modën dhe të jesh e bukur nuk do të thotë vetëm të dish të vishesh bukur dhe të kesh kujdes për look-un. E bukura qëndron më thellë se kaq. E bukura lind me ne. Programohet në barkun e nënës që në shkrirjen e materialeve genetike të të dy prindërve.
KOHA: Atëherë po flasim për diçka më të detajuar dhe më të sofistikuar?
E vërteta, e bukura qëndron në strukturën e kockave, ngjyrën e lëkurës dhe numrin e folikulave të flokëve. Me kalimin e viteve koha e qytetit dielli dhe jeta e transformojnë atë.
KOHA: Atëherë nëse është kështu, përse me kalimin kohës në na ndryshon lëkura, elasticiteti i saj dhe ka nevojë për kujdes më të madh sesa kur jemi më të rinj?
Sepse vetë jeta, streset dhe problemet e tjetërsojnë njeriun. Dielli ia plak lëkurën dhe ia prish teksturen. Loja e disbalancave hormonale e ndryshon pamjen tonë.
KOHA: Dhe si mund të parandalohet i gjithë ky ndryshim?
Në sajë të përparimeve që ka bërë shkenca ne po mundohemi çdo vit e më tepër t’a fitojmë luftën me kohën. Ne sot e kemi të mundur t’a frenojmë plakjen por kurrsesi nuk mund ta tejkalojmë atë. Në sajë të kremrave, serumeve dhe produkteve të mrekullueshme dermokozmetike ne mund t’a ngadalësojmë peshën e viteve.
KOHA: Konkretisht…?
Shkenca ka përparuar dhe ka krijuar mbushësit kozmetike me përmbajtje kolagjeni dhe acidi Hyaluronic si edhe toksinat çudibërëse që ekuilibrojnë lëvizjen e muskujve duke e ngadalësuar rrudhosjen e lëkurës. Të jesh sot në modë domethënë të kujdesesh për mirëqenien e lëkurës tënde dhe të aparencës. Duke qenë në këtë fushë të mjekësisë estetike me është dashur përherë të jem në koherencë me të rejat e fundit të shkencës.
KOHA: Të gjitha ndërhyrjet estetike janë të realizueshme apo ka mbetur ende ndonjë që ka mungesë në realizim?
Aktualisht nuk ekziston ndonjë trajtim apo operacion që ne nuk e kryejmë dot. Ne zgjedhim përherë të jemi në krye të këtyre zbulimeve në mënyrë që t’u ofrojmë pacientëve më të mirën.
KOHA: Për shembull, si mund të zhdukim rrudhat apo të bëjmë një hundë më të vogël dhe më të bukur se ajo që mund të kemi me ndonjë shmangie apo mospëlqim ndaj vetes?
Sot rrudhat zhduken me botox dhe filler, hunda operohet dhe bëhet më e vogël, me estetike dhe më e bukur. Lëkura tërhiqet dhe fytyra duket 10 vite më e re në sajë të facelift. Gjithashtu për diversionet anatomike ofrojmë operacionet rikonstruktive dhe rimodeluese për të bërë të barabarte dhe të bukur.
KOHA: Së fundmi, keni hapur dhe kanalin tuaj në youtube, një metodë që jo të gjithë doktorët e ndjekin. Pse kjo zgjedhje?
Sepse mendova të jem afër pacientëve të mi me video konkrete, të realizuara me detaje në një pacient konkret duke e nisur nga fillimi i një ndërhyrje me të gjitha elementet e duhur për ta kuptuar të gjithë procesin si kryhet. Mund të më bëni subscribe në youtube në Dr Senera.
KOHA: Çfarë pret ti nga ky hap që ke ndërmarrë?
Pres që të na ndjekin sa më shumë dhe të informohen mbi gjithçka që u intereson për veten, duke nisur nga trajtimet e deri tek operacionet dhe ndërhyrjet më të vështira dhe me rezultate të mëdha.