Dr.Elenmdina ka pasur disa oferta për punë jashtë. Shumica në SHBA. Por ajo ende nuk është larguar. Pret që dikush të kujtohet për të…
Nga Emin AZEMI
Dr. Elmedina Asani është një mjeke nga Shkupi, 27 vjeçare. Ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup me notë mesatare 9,7. Momentalisht është në specializim (privat) në Neurokirurgji. Deri më tani ka qenë pjesë e ekipeve të shumta kërkimore-shkencore në vend dhe në botë. Është laureate e çmimit të Qytetit të Shkupit “13 Nëntori”. Por ende nuk ka arritur të punësohet!
Në një takim rasti me të, mundëm telegrafikisht të regjistrojmë disa përshtypje që ndërlidhen me ecurinë e zhvillimit të saj si kuadër me perspektivë të lakmueshme shkencore.
Ndërkohë kuptuam se ajo po punon në një studim të madh mbi vitaminën D dhe rolin e tij në sistemin nervor, në bashkëpunim me disa studiues të mjekësisë nga SHBA. Me këtë synon të ngritet në planin edukativo-shkencor jashtë vendit edhe gjatë kohës sa është specializante në Shkup. Ajo e ka ëndërr që arritjet shkencore të mjekësisë nga Perëndimi t’i sjellë në Maqedoni.
Neurokirurgjia, sipas saj, konsiderohet një nga specializimet më komplekse dhe më të vështira. Kirurgët nuk kanë orar pune, kurse neurokirurgët edhe më pak. Ata nuk kanë vikende, festa…
Dr.Elmedina ankohet në trajtimin e pamjaftueshëm institucional që i bëhet kërkimit shkencor në vend, sidomos në fushën e neurokirurgjisë, ku buxhetet janë të limituara.
Mjekët në Maqedoni kanë kapacitet, thotë ajo, por kanë nevojë për kushte për punë dhe për rrjedhojë ata nuk ikin vetëm për shkak të pagave, por edhe për shkak të qasjes selektive që iu bëhet kuadrove, duke i stimuluar ata që mezi arrijnë ta kryejnë me lidhje fakultetin.
Përpos arsyeve financiare, mjekët e braktisin Maqedoninë edhe për shkak të politizimit dhe nepotizmit në punësime. Jo gjithmonë më të mirët punësohen, ndërkohë që ata që kanë lidhje me politikanë, gjejnë punë më shpejt. Kjo vlen edhe për ata që duan të specializojnë.
Në një vend ku vendin e talentit e zë mediokri, dështimi është i garantuar .
Dr.Elmedina ka pasur disa oferta për punë jashtë. Shumica në SHBA. Por ajo ende nuk është larguar. Pret që dikush të kujtohet për të…
“Unë dua të mbetem në Maqedoni, por nuk jam e sigurt nëse Maqedonia është e interesuar për mua. Nëse vazhdoj të jem ende e papunë, pa sigurim shëndetësor e pensional, pa stazh pune, do të jem e shtrënguar ta braktisi Maqedoninë”, thotë e pezmatuar ajo.
Specializim privat, e pa punë, e pasiguruar. Si ka guxuar të ndodhë kjo me një kuadër që mund t’ia ketë lakmi çdo qendër universitare europiane amerikane.
Fati i dr.Elmedina Asanit është ajo ana e errët e punëve tona. E punëve të atyre që kanë marrë vota duke premtuar se do të jenë me hallet e popullit. Dr.Elmedina, në fakt, nuk ka kurrfarë halli, sepse ajo dyert i ka të hapura në çdo klinikë të botës. Hall duhet të ketë shoqëria jonë, sidomos ata që e drejtojnë atë, që lejon të na ikin kuadro me nota mesatare 10. Hall duhet të kenë ata që listat e tyre kadrovike i kanë mbushur me ngelafqa, të cilët mund t’i gjesh edhe në ndonjë pozitë drejtuese a në ndonjë bord.
Dr.Elmedina Asani duhet të jetë rasti i fundit i qasjeve idiote që iu bëhet kuadrove me kapacitete të larta profesionale. Dhe jo vetëm kaq. Duhet të jetë gurë që rëndon mbi ndërgjegjet tona. (koha.mk)