Jeton me dashurinë dhe mallin për atdheun, bën jetën e një londinezi, pa u shqetësuar shumë nga termin “emigrant” dhe nuk para i pëlqen të komentojë politikisht qëndrime, zhvillime në lidhje me diasporën apo punën ndaj saj. Kjo për vetë natyrën e tij humane, qoftë edhe si profesion, por edhe mosqenie në kontakt me zhvillimet permanente në atdhe…
Udhëtimin tonë me shqiptarët e suksesshëm e vijojmë me Dr. Driton Vllasaliu nga Kosova. Prej vitesh Vallasaliu është një pedagog i farmacisë dhe shkencëtar e kërkues në degën e tij. I formuar në Britaninë e Madhe në Farmaci, Dr. Driton Vllasaliu po jep një kontribut të shquar si pedagog e shkencëtar. I palodhur, kërkues, sistematik dhe i përshtatur me mjedisin ku vepron ai e shikon këtë si çelës të suksesit të tij, ku, natyrisht puna, është në krye dhe baza e gjithçkaje. Jeton me dashurinë dhe mallin për atdheun, bën jetën e një londinezi, pa u shqetësuar shumë nga termin “emigrant” dhe nuk para i pëlqen të komentojë politikisht qëndrime, zhvillime në lidhje me diasporën apo punën ndaj saj. Kjo për vetë natyrën e tij humane, qoftë edhe si profesion, por edhe mosqenie në kontakt me zhvillimet permanente në atdhe. Ka plane drejt formimit të tij më thellë profesional, që një ditë t’u shërbejë edhe më mirë pacientëve dhe shoqërisë.
Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Drejtimi nga farmacia ka ardhur spontanisht nga kureshtja se si barnat veprojnë në trup dhe mundësia potenciale të kontribuoj në zhvillimin e barnave më efektive dhe për sëmundje, momentalisht të pashëruara. Po ashtu edhe prirja për shkencat që kanë të bëjnë me ketë profesion, posaçërisht biologjia dhe kimia, kanë pasur efekt në ketë zgjedhje. Mirëpo, profesioni im aktual, si ligjërues në farmaci, ka ardhur pothuajse automatikisht dhe si efekt anësor (tejet i mirë) i dashurisë dhe dedikimit tim ndaj shkencës.
Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Momentet që kanë shënuar udhëtimin tim profesional janë disa. Fillimisht, regjistrimi në shkollën e mesme të farmacisë në Prishtinë. Pastaj, regjistrimi ne Universitetin e Nottingham, po në drejtimin e farmacisë. Në vitin e fundit të studimeve të farmacisë, pata rastin të bëja projektin e magjistraturës në drejtimin e teknologjisë farmaceutike (tema specifike “Shpërndarja e barnave”) ku, për herë të parë, u njoftova me botën e hulumtimeve. Kjo ishte përvojë syçelëse për mua që më shtyu t’i drejtohem hulumtimeve në të ardhmen. Po ashtu, moment i posaçëm ka qenë edhe kalimi i provimit mandator, profesional, për farmaci, që mundëson regjistrimin si farmacist në Këshillin Farmaceutik të Mbretërisë së Bashkuar. Së fundi, mbrojtja e temës të doktoratës në Universitetin e Nottingham ka qenë moment special që ka nënvizuar dhe mundësuar karrierën time në vijim.
Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Edhe pse nuk ka një çelës të unifikuar suksesi, mendoj që vetë puna është një çelës i fortë. Kjo është artikuluar shumë mirë nga një thënie që e pëlqej shumë: “Besoj në fat, dhe e shoh se sa më shumë që punoj sa më shumë kam fat”.
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Profesioni im si hulumtues dhe ligjërues në farmaci ka shumë dimensione: përveç rolit tim kryesor të shkencëtarit, shpeshherë jam këshilltar, pedagog dhe llogaritar (shkaku i menaxhimit të buxheteve të hulumtimeve). Sfidat, pra, janë pothuajse të përditshme dhe të natyrës së ndryshme. Mirëpo, sfida më e madhe është përballimi me refuzime, p.sh. në lidhje me aplikacione për grante dhe publikime – një gjë që ndodhë shumë shpesh në përgjithësi në profesionin tim (p.sh. shanset e suksesit të aplikacioneve për grante, kryesisht, janë më pak se 10%). Prandaj, është shumë lehtë të demotivohesh dhe ta lejosh këtë të krijojë pengesë në karrierë. Mirëpo, mundohem që refuzimin ta pranoj dhe menaxhoj në mënyrë të duhur (si mësim dhe pjesë normale të procesit) që të mos më ndaloj të provoj prapë.
Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Kjo është pyetje e vështirë sepse nuk njoh realitet tjetër paralel, por vetëm atë që rezulton nga zgjedhjet që i kam bërë. Mendoj, në përgjithësi, bilanci është pozitiv.
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Arritjet janë subjektive dhe relative. Për mua, pranimi si ligjërues në King’s College London në 2017, është një ndodhi apo rezultat i mirë, por këtë ma saktësisht e konsideroj si arritje e mundësive për arritje.
Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe”?
Ngrohtësi, familje, dashuri, fëmijëri të lumtur.
Çfarë cilësie, mendoni, se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Cilësitë si trashëgimi e atdheut, që mendoj se më kanë ndihmuar të integrohem dhe të më kanë sjellë rezultate janë përshtatja, motivimi dhe mosdorëzimi.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në përvojën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Në përvojën time personale nuk mendoj, (me dijeni) s’e kam vuajtur ndonjë pasojë nga statusi “emigrant”. Karakteristikë speciale e Londrës është multikulturaliteti dhe përqindja e madhe e “emigrantëve”. Shumica thjeshtë ndihet si londinez. Në grupit tim hulumtues kam pasur dhe kam persona nga Anglia, Gjermania, Portugalia, Italia, Rumania dhe Kina. Ndërsa studentët e farmacisë, të cilëve ju ligjëroj, kanë prejardhje nga shumë më shumë shtete, duke përfshirë edhe Kosovën dhe Shqipërinë.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Ndoshta më shumë duhet bërë nga qeveritë që të krijohen mundësi dhe platforma (shoqata, takime, etj.) për bashkëpunim.
Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Kjo është një temë që, shpeshherë, shqiptarët në diasporë e komentojnë pa pasur nevojë ta bësh pyetjen! Mirëpo unë nuk kisha dashur të përgjigjem për këtë.
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Nuk dua t’i kritikoj qeveritë, sa i përket qasjes ndaj diasporës, sepse: E para, e di që janë të preokupuar me punë tjera të shumta dhe e dyta, nuk kam shumë dijeni për punën që kanë bëre (apo nuk kanë bëre) në këtë drejtim. Mirëpo, e pranoj se komunikimi duhet të jetë reciprok.
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Jeta ndodhë përderisa njeriu është i zënë duke bërë plane! Planet më të mira janë ato për të cilat rrugëtimi ndaj realizimit është më i këndshëm se arritja. Planet e mia, sa i përket karrierës, janë që të rris intensitetin e hulumtimeve dhe grupin tim hulumtues deri në një shkallë që të më mundësojnë të bëj hulumtime me impakt dhe potencial më të madh për të ndryshuar jetën e pacientëve.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim(mosdorëzim)?
Shumë urime për këtë sukses të madh. Ky rezultat dhe sukses duhet të jetë motivim shumë më i fortë se çfarëdo mesazhi im. (thealbanian.co.uk)