Dr. Cana dhe dr. Demiri: Betejën me virusin do ta fitojmë!

99

Ne nuk stepemi, bëjmë më të mirën e mundur për të gjithë të prekurit me këtë “mortajë të shekullit të ri”, ndonëse duke rrezikuar jetët tona dhe të familjarëve tanë. Por ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe e kemi të qartë se është koha për betejë, është koha të fitojmë dhe të jetojmë për veten tonë, për familjet tona, për të dashurit tonë dhe jemi të bindur se do ia dalim, shprehen për KOHA, infektologët dr.Fadil Cana dhe dr.Ilir Demiri, duke folur për “betejën” e tyre me Covid19

Destan JONUZI

Shkup, 7 prill – Mjekët po rrezikojnë jetën e tyre për të qenë në krye të detyrës më humane që mund të ekzistojë, në shërbim të personave që kanë nevojë për ndihmë. Dy infektologët shqiptarë nga Klinika Infektive në Shkup, dr.Fadil Cana dhe dr.Ilir Demiri, çdo ditë dhe në ço moment janë në vijën e parë të “frontit” për të luftuar Covid19. Ata për gazetën KOHA kanë rrëfyer shumë momente nga puna e tyre në betejën për të parandaluar përhapjen e pandemisë Covid19.

“Ne jemi në vijën e parë të frontit, ne po luftojmë krah jetës, për jetën. Në ditë të këtilla, kur e tërë bota është gjunjëzuar, kur në vendin tonë numërohen deri më tani afër 600 raste të konfirmuara, numër ky që gjer në fillim të majit do jetë disa mijë, të flasësh për sigurinë e personelit mjekësor në Klinikë për sëmundje infektive është sikur të besosh se ‘luftëtarët në vijën e parë të frontit nuk janë të ekspozuar ndaj plumbave të armikut’, a të luftosh një armik të panjohur, agresiv, nuk e bën aspak të lehtë dhe të parashikueshme betejën. Megjithatë, ne nuk stepemi, unë dhe kolegët e mi bëjmë më të mirën e mundur për të gjithë të prekurit me këtë “mortajë të shekullit të ri”, ndonëse duke rrezikuar jetët tona dhe të familjarëve tanë. Por ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe e kemi të qartë se është koha për betejë, është koha të fitojmë dhe të jetojmë për veten tonë, për familjet tona, për të dashurit tonë dhe jemi të bindur se do ia dalim”, deklaroi për KOHA, infektologu Dr.Fadil Cana.

Ai sqaron se procesi i shërimit të pacientëve bëhet sipas udhëzuesve dhe protokolleve më të reja të dëshmuara për shërimin e pacientëve me COVID-19. “Mundohemi maksimalisht të shfrytëzojmë përvojën shumëvjeçare të stafit mjekësor të klinikës dhe kontaktet me kolegët nëpër botë që të këmbejmë përvojat dhe njohuritë të cilat mund ti zbatojmë te pacientët e sëmurë me COVID-19. Por, për raste më të rënda po përdoren edhe medikamente antivirale që përdoren në shërimin e HIV-infeksioneve, por është herët që të mund të flasim për ndonjë përvojë tonën në zbatimin e këtyre kurave terapeutike”, thekson dr.Cana.

Në anën tjetër, edhe infektologu dr.Ilir Demiri thotë se udhëzimet e miratuara ose të rekomanduara të fundit për trajtimin e pacientëve me Covid-19 ndiqen dhe zbatohen. “Ne përpiqemi të shfrytëzojmë përvojën shumë vjeçare të gjithë mjekëve në Klinikë, të cilët janë në kontakt me kolegët në të gjithë botën që ndajnë përvojat e tyre me ne. Është e rëndësishme vetëm që ka një entuziazëm dhe përkushtim të madh në mesin e të gjithë stafit në Klinikë për të ndihmuar këta pacientë”, deklaroi për KOHA, infektologu Demiri.

Ai shpjegon se qasja te pacienti varet nga ashpërsia e sëmundjes, por që përgjithësisht të gjithë marrin terapi antimikrobike (antibiotikë) dhe mbështetje të oksigjenit. Ata me një pamje klinike më të rëndë trajtohen me klorokinë, një ilaç për malarie, i cili sipas rekomandimeve të reja u jepet edhe pacientëve të caktuar të infektuar me koronavirus. Në pacientët me probleme klorokinale, trajtimi me rhinavir/lopinavir është një ilaç antiviral që përdoret për trajtimin e HIV. Sipas tij, pjesa më e vështirë e luftës me koronavirus nuk ka ardhur ende, pasi numri i pacientëve që zhvillojnë një formë më të rëndë të sëmundjes ka filluar të rritet. Sipas infektologëve, 25 për qind e njerëzve të infektuar me Covid19 nuk kanë fare shenja as simptoma të sëmundjes.

REKOMANIMET E INFEKTOLOGËVE PËR MBROJTEJE NGA COVID19

– Dilni jashtë vetëm për të blerë bukë, ushqim, barna dhe për të shkuar në punë (nëse jeni duke punuar në shërbimet publike vitale);

– Nëse keni dalë jashtë, mbani distancën prej së paku 2 metra nga çdokush që ju afrohet;

– Pastroni duart me ujë e sapun posa të vini në shtëpi;

– Mos shkoni në vizita te familjarët e as te miqtë. (koha.mk)

Comments are closed.