Në këtë fokusim kompleks shfaqen raportet konfliktuoze midis faktorëve të ndryshëm: “rezistencës institucionale” dhe “rezistencës së armatosur”. Ato marrin përmasat e një lufte të hapur për pushtet me mjete kriminale (vrasje, atentate, zhdukje e kërcënime) dhe do të bartet edhe deri te koha jonë. Këtë zhvillim me pasoja tragjike, autori e ndërton, në njërën anë mbi linjën e një rrëfimit të një vrasësi të penduar, i cili, i shtyrë qoftë nga ndërgjegjja e vrarë, qoftë edhe nga kurthet e ndryshme politike të natyrshme për rrethanat e tilla, dhjetë vjet pas përfundimit të luftës, pranon haptas pjesëmarrjen në rrjetin e një krimi të organizuar dhe për këtë kërkon dënim.
Dhe, në tjetrën anë, shfaqet linja e rrëfimit të hetuesi gjerman të EULEX-it, i cili gjatë hetimit u bie në gjurmë lidhjeve midis klaneve të caktuara kriminale me faktorët ndërkombëtarë të vendosjes, të cilët favorizojnë avancimin e tyre politik deri te përmasa e kthimit në partner sigurie, paçka se kjo dëmton procesin demokratik, vendosjen e shtetit ligjor e mbi të gjitha vë në dyshim besimin ndaj miqve perëndimorë që ndihmuan në çastet më të vështira. Në këto rrethana, pas eliminimit të shumë dëshmitarëve (ndër ta edhe të mbrojtur) si dhe fshehjes së gjurmëve, hetuesi gjerman, i cili, kur sheh se viktimë e këtyre vrasjeve është edhe një kushëri nga gjyshja (i vrarë në një burg të Drenicës), vendos të japë dorëheqje nga misioni i evropian për t’iu kthye një padie private kundër UNMIK-ut, EULEX-it, BE-së si dhe shtetit gjerman, të cilët jo vetëm nuk kanë parandaluar një zhvillim të tillë tragjik, por me atë sjellje, janë bërë edhe pjesëmarrës të tij… Botues janë “Faik Konica” dhe “Jalifat Publishing”. Libri ka 411 faqe.