Dortmundi nuk ul çmimin për Sanchon

17

Jadon Sancho është objektivi i madh i Manchester United për merkaton e kësaj vere, por Borussia e Dortmundit nuk ka ndërmend të ulë pretendimet prej 105 milionë eurosh për kartonin e fantazistit anglez dhe negociatat kanë ngecur. Kjo pasi në këtë periudhë pandemie, drejtuesit e “djajve të kuq” e quajnë të tepërt shifrën e kërkuar nga klubi gjerman dhe nuk shkojnë më tepër se 80 milionë euro, ndaj palët janë ende larg, kur kanë mbetur vetëm 20 ditë nga fundi i merkatos.

Ndërkohë për të mos u kapur të papërgatitur, drejtuesit e Manchester United kanë filluar të mendojnë për planin B, që sipas mediave angleze quhet Gareth Bale. Sulmuesi uellsian është në luftë të hapur me Realin e Madridit, ku merr një pagë të majme dhe ka një kontratë të vlefshme deri në verën e 2022-shit. Pikërisht për të përfituar nga ky fakt, “djajtë e kuq” janë gati të marrin Bale në huazim një vjeçar, me opsion blerjeje verën e ardhshme, ndërsa “Los Blancos” do të ishin të lumtur, pasi do të kursenin rreth 30 milionë euro, shifër që duhet të paguajnë për pagën e një viti të uellsianit.

Vetë Bale do ta mirëpriste një rikthim në kampionatin anglez, ku edhe spikati me fanellën e Tottenham, ndërsa trajneri i Manchester United, Solskjaer këmbëngul për afrimin e Sanchos, pasi kërkon të ndërtojë një formacion me djem të rinj, të talentuar e të uritur për sukses.

Comments are closed.