Fitorja me Bayer Leverkusen, ka rikthyer qetësinë te Borussia e Dortmundit pas një sërë rezultatesh negative që kishin përshtjelluar jo pak ambientin verdhezi. Diferenca me Bayernin ndjekës ka shkuar sërish në +3 dhe skuadra e Lucien Favre shpreson ta thellojë këtë avantazh gjatë javëve vazhdim, pasi titulli kampion është objektivi i vetëm i Dortmundit në këtë sezon. Për të fituar kampionatin verdhezinjtë tashmë do të kenë edhe një forcë më shumë.
Bëhet fjalë për kapitenin Marco Reus i cili të hënën është rikthyer në stërvitje me Dortmundin. 29-vjeçari ka lënë pas dëmtimin që pësoi në Kupën e Gjermanisë ndaj Werder Bremen, dëmtim që e la jashtë në disa sfida të rëndësishme përfshirë edhe duelin e parë në raundin e 1/8-ave në Champions League ndaj Tottenham Hotspur. Me Reus në skuadër, Dortmundi duket një ekip më i pjekur në fushë dhe me më shumë eksperiencë, prandaj rikthimi i kapitenit konsiderohet shumë i rëndësishëm.