Zagreb, 11 gusht – Kroacia ka thënë se e ka tërhequr vendimin për të rritur tarifat e importit për pemë dhe perime, në mesin e kërcënimeve për hakmarrje nga disa vende fqinje të Ballkanit. Gjatë muajit të kaluar, ky vend ka vendosur të bëjë disa ndryshime dramatike në çmime, duke i arsyetuar këto veprime me faktin se janë të nevojshme për t’u përputhur me standardet e vendeve tjera të Bashkimit Evropian. Ministria e Agrikulturës, ka thënë të premten përmes një deklarate, se vendimi për kthimin e çmimeve të mëparshme, do të rifuqizohet nga data 11 gusht. “Kompensimi për mbikëqyrje inspektuese dhe kontroll të përputhshmërisë së frutave dhe perimeve me standardet e tregut gjatë importit në Kroaci nga vendet e treta, nga 2.000 kuna (270 euro) do të rikthehet në çmimin e vjetër prej 90 kuna”, ka thënë për Anadolu Agency (AA) Mirko Sharoviç, zëvendës i kryesuesit të Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës. “Rregullorja do të kthehet në të vjetrën. Ky është një sukses i madh për ne. Ka pasur edhe versione të tjera, por më pak të favorshme”, tha Sharoviç. Ai tha se me vendimin e fundit, nuk do të ketë nevojë për takime të ministrave të rajonit me kolegun e tyre kroat rreth kësaj çështjeje. “Gjithçka ka marrë fund. Tani nuk është fare e rëndësishme nëse do të takohemi në Dubrovnik, Podgoricë ose Zagreb. Gjithçka kthehet në normale”, tha ai. Më 14 korrik, Kroacia miratoi Rregulloren për mbikëqyrje inspektuese dhe kontroll për përputhshmërinë e frutave dhe perimeve me standardet e tregut për çka tarifa për inspektimet ishte rritur me 22 herë, më konkretisht nga 90 në 2000 kuna, gjë e cila shkaktoi probleme të mëdha për eksportuesit e frutave dhe perimeve. Bosnja dhe Herzegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, i patën nisur ultimatum Kroacisë, që të ndryshojë tarifat, pasi mund të përballet më kundërpërgjigje. Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, derisa Kroacia i është bashkuar bllokut në vitin 2013.