Dorëzohet Federer: S’kam shanse të fitoj sërish

18

Viti 2021 nuk ka shkuar ashtu sikurse dëshironte Roger Federer, që rikthehej në fushë pas 13 muajsh pushim. Pas eliminimit nga grand slam i Wimbledon, tenisti zviceran, tashmë 40 vjeç, ka marrë sërish një pushim të gjatë, për t’u rikthyer vitin tjetër.

Ish-numri 1 në botë qëndron me këmbë në tokë kur flet për të ardhmen. “Në këto momente të jetës time e kuptoj se nuk mund të kërkoj më shumë nga jeta dhe karriera ime. Prë sa i përket karrierës time, ajo që do të arrij në fushë do të jetë një bonus shtesë për mua. E di që është e vështirë të fitoj ndonjë turne, por do të shijoj dhe argëtohem në çdo ndeshje që do të luaj”, tha Federer.

Për sa i përket familjes, zvicerani shton: “U bëra baba kur isha 28 vjeç, ndaj tani vajzat e mia binjake janë 12 vjeçe dhe dy djemtë e mi binjakë nga 7 vjeç. Kam një jetë të mrekullueshme, nuk mund të ankohem dhe tani kaloj më shumë kohë me familjen dhe miqtë e mi”.