Dorëzohen në Parlament propozimet për ministrat e rinj

Shkup, 24 gusht – Janë dorëzuar në Parlament emrat e ministrave dhe zv.ministrave të rinj. Pas arkivimit të propozimeve nga ligjvënësi, ata duhet të procedohen dhe të vendosen në rend dite për t’u votuar në seancë plenare.

Në postin e ministres së Financave është propozuar Nina Angellovska, në postin e zv.ministres së Arsimit është propozuar Elizabeta Naumovska, profesore e fizikës dhe në postin e zv.ministrit të Ekonomisë Kire Kolemishevskin, i diplomuar në Universitetin e Shën Kirillit dhe Metodit në Fakultetin e Drejtësisë. Në këtë post vjen nga Banka Maqedonase për Mbështetjen e Zhvillimit.

Ndër emrat e propozuar është edhe Nexhat Mehmedoviq si zv.ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive. Ndërsa Ibrahim Dehari do të jetë ministër i ri për investime të huaja. Dehari është kuadër i BDI-së ndërsa në këtë post kalon pas shkarkimi të Zoran Shapuriq. Ai është biznesmen dhe ligjërues në Universitetin e Tetovës.

Përndryshe, në qershor u bënë ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar me ndryshimin e disa ministrave. Posti i ministrit të Financave që atëherë ka qenë bosh. (koha.mk)