Ministri holandez i Drejtësisë ka dhënë dorëheqjen, pasi në këtë vend ka plasur një skandal për marrëveshjen 2 milionë euro mes autoriteteve gjyqësore të Amsterdamit me një shpërndarës droge. Mediat kanë raportuar se ministri Ard van der Steur dha dorëheqjen mbrëmjen e djeshme pasi akuzohet se i kishte fshehur disa çështje parlamentit, duke mos thënë të vërtetën, vetëm disa javë para se vendi të shkonte në zgjedhje të përgjithshme. Sipas akuzave, ministri ka gënjyer në lidhje me një marrëveshje që ka bërë prokuroria me një trafikant, të cilit i janë dhënë 2 milionë euro. Skandali plasi një vit më parë, por publikimet e reja nga një stacion televiziv pretendojnë se Van der Steur i ka fshehur parlamentit, që prej vitit 2015 një marrëveshje ndërmjet autoriteteve gjyqësore në Amsterdam dhe një shpërndarësi droge. Van der Steur ka hedhur poshtë ato që ai i quan “akuza të pabaza”, por pranoi dorëheqjen dje, pasi u sulmua nga thuajse të gjitha partitë e parlamentit.