Tetovë, 25 qershor- Komuna e Tetovës edhe zyrtarisht ka konfirmuar se drejtori i deritanishëm i Ndërmarrjes Publike “Parkingu i qytetit” në Tetovë Fejsal Behadini ka dhënë dorëheqje. Behadini në këtë post është që nga viti 2015 kur edhe filloi aplikimi i parkimit zonal në komunën e Tetovës, pasi që paraprakisht ishte themeluar kjo ndërmarrje nga ana e këshillit të komunës së Tetovës në përbërjen e kaluar. Nga komuna thonë se vendimi ka qenë personal i drejtorit, duke shtuar se emërimet janë edhe një dinamikë e re në institucionet e Tetovës. “Për sa i takon ndryshimeve në ndërmarrjen e qytetit ne ndërmarrjet publike i kemi menaxhuar në mënyrë solide me problemet me vështirësitë që kemi pasur dhe normalisht ndryshimi i drejtorit është si pasojë e inercionit të fitores së mandatit të dytë që ne e menduam se rrotacioni dhe emërimet e reja janë një dinamikë e re për institucionet të cilat i menaxhon dhe administron komuna e Tetovës”, deklaroi Armend Fazliu, zëdhënës i komunës së Tetovës. Drejtori i dorëhequr Fejsal Behadini përmes telefonit ka konfirmuar se dorëheqja e tij është akt moral për shkak të pamundësisë për ta vënë në binar të njëjtën “Arsyeja e dorëheqjes time është për arsye etike e parimore nga pamundësia për të gjetur zgjidhje afatgjate për mirëfunksionimin e ndërmarrjes. Kjo ndërmarrje i nevojitet shumë qytetit të Tetovës dhe shpresoj që ata të vijnë pas meje të kenë sukses në menaxhimin e saj”, thotë Fejsal Behadini, drejtor i dorëhequr. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se 70 punëtorë të kësaj ndërmarrje gjithnjë kanë qenë minus dy rroga, ndërsa për komunën e Tetovës situata e këtillë është në të gjithë institucionet e shtetit.“Çdo institucion në republikën e Maqedonisë unë nuk e di se ka borxhe sepse janë të brishta si të tilla por ne kemi menaxhuar në mënyrë solide me gjitha institucionet, kur dihet se ne gjetëm një NPK të falimentuar të cilët e sollën në gjendje normale po ashtu shpresojmë se edhe kjo ndërmarrje do të vihet në binarë”, thotë Fazliu. Nga burime jozyrtare mësohet se në vend të Behadinit është emëruar Sadat Alili. (UH)