Nga Emin AZEMI
Ministri i Drejtësisë, Bilent Saliu, dha dorëheqje dhe disa kolegë maqedonas po mundohen ta relativizojnë dhe minimizojnë këtë akt duke e cilësuar si veprim që vjen gjoja pas një punë joproduktive dhe joreformatore të tij, ose në prag të ndonjë rikonstruimi që do ta hiqte eventualisht atë nga kabineti i kryeministrit Zaev.
Të gjitha këto insinuata bien në ujë, për arsye se ministri Saliu, me dorëheqjen e tij po na thotë se reformat nëpër institucione, përfshi edhe sistemin e drejtësisë, nuk mund të bëhen pa një akt përgjegjësie dhe reflektimi që fillon nga vetvetja, si standard që vendos linja përkufizimi dhe refuzimi ndaj inercionit që sjell akomodimi i pushtetit.
Nuk ka reformë më kuptimplote se sa të distancohesh nga e keqja. Prej këtu fillon ndryshimi i mendësisë institucionale, si parakusht i një frymë që nxit brendapërbrenda sistemit sensin e përgjegjësisë dhe qarkullimin e vlerave të konkurrueshëm dhe krahasueshme me praktikat e avancuara ndërkombëtare. Çfarë kuptimi do të kishin reformat e supozuara, nëse bartësit e funksioneve të larta shtetërore e publike vazhdojnë të mos prenë litarët që mbajnë të lidhur për qafe një sistem të tërë i cili po fundoset si pasojë e mungesës së mekanizmave vetërregullues.
Dorëheqja është institucioni më i lartë moral i një pushteti, me kush që të gjitha veprimet që do të pasonin do të ishin në funksion të korrigjimit të gjithë asaj që ka shkuar keq dhe mbrapsht.
E kuptojmë mungesën e qëllimshme të receptimit të drejt publik të mediave maqedonase sa i përket kësaj dorëheqjeje, sepse vetë ato media tash e disa vite, me heshtjen, indiferencën dhe raportimin e njëanshëm të tyre, u bënë pjesë e një makinerie që prodhonte në vazhdimësi padrejtësi për shqiptarët. Çdo respekt për përjashtimet, por kolegët maqedonas, jo vetëm që ranë nga provimi i etikës profesionale, por ata, me mënyrën si i trajtuan gjithë këto procese të montuara, sikur i dhanë legjitimim publik e qytetar një gjyqësie skandaloze që s’e kishte as kokrrën më të vogël të ndjesisë njerëzore gjatë vendimmarrjeve, me pasoja katastrofale për jetën, dinjitetin dhe lirinë e shumë shqiptarëve të pafajshëm, që padrejtësisht vuajnë dënime për vepra që as në ëndërr s’i kishin pa.
“Sopoti”, “Monstra” dhe disa raste të tjera të montuara nga segmente të caktuara shtetërore, janë varre që gjyqësia maqedonase ia ka hap vetvetes, por në këto varre ka rënë edhe ndërgjegjja intelektuale, profesionale e njerëzore e shumë politikanëve, gazetarëve, profesorëve, akademikëve maqedonas, të cilët, me qëndrimet e tyre zombiste, u shndërruan në do varrtarë të vlerave për të cilat ata do të angazhoheshin sikur viktimë e proceseve të montuara do të ishin bashkëkombësit e tyre maqedonas.
Leksioni që mund të del nga dorëheqja e ministrit Saliu, shumë kujt, që tash e tutje do merret me punë shtetërore, do t’i shërbejë si gurë peshoreje për të detektuar më lehtë se nga anon morali njerëzor dhe përgjegjësia institucionale. Ky akt e nxjerr nga kaosi i ngjyrave të një mozaiku të shpërfytyruar edhe partinë që përfaqëson, duke qartësuar, tash e tutje, figura e kontura të formësuara në sipërfaqen e paanë të prirjeve e prurjeve të reja, figura që dinjitetin profesional e qytetar do ta kenë laps të shenjtë me të cilin do të shkruanin sinopsisin e një narracioni të suksesshëm politik e shoqëror.
Krejt në fund, i dorëhequri Bilent Saliu, le të na shërbejë gjithë neve si shtyllë (kurrizore) e një gardhi anësor që do të na ruante nga theqafja e pushtetit pa etikë e përgjegjësi. (koha.mk)