Shkencëtarët kanë krijuar një robot, i cili u vjen në ndihmë personave tetraplegjikë, problemet e shtyllës kurrizore të të cilëve i pengojnë këta të fundit në përdorimin e gjymtyrëve të duarve. Pajisja e re është testuar fillimisht tek 6 persona në Spanjë . Me anë të një kapeleje, e cila mat aktivitetin elektrik të trurit dhe lëvizjen e syve, përdoruesit ishin në gjendje të dërgonin sinjale në një kompjuter tablet i cili kontrollonte lëvizjet e duarve të tyre.
Sipas një artikulli të publikuar këtë të martë në gazetën shkencore “Science Robotics” pjesëmarrësit në eksperiment ishin në gjendje të kryenin veprime nga përditshmëria e tyre me anë te këtij roboti më mirë se sa pa të. Individë të cilët më parë kishin hasur në vështirësi të mëdha në përdorimin e duarve për të kryer veprimet e përditshmërisë, e cilësuan pajisjen si të besueshme, praktike dhe nuk patën asnjë shqetësim gjatë apo pas përdorimit të saj, thuhet në gazetë. Pjesëmarrësve iu deshën vetëm 10 minuta kohë për të mësuar sistemin përpara se ata të ishin në gjendje të mbanin në duar një qese patetinash apo të firmosnin një dokument, thuhet më tej në artikull. Sipas neuro shkencëtarit Surjo R. Soekadar mjek në “Spitalin Universitar Tuebinge” në Gjermani dhe udheheqës i studimit, pjesëmarrësit ishin persona të cilët vuanin nga probleme të rënda me shtyllën kurrizore që mund të lëviznin shpatullat e tyre, por jo gishtat.
Megjithatë sistemi kishte edhe kushtëzime: përdoruesit duhet të ishin në gjendje të lëviznin shpatullat dhe krahët në mënyrë që të arrinin dorën robotike, si dhe montimi i pajisjes kërkonte ndihmën e një personi tjetër. Sipas Jan Schwab një ekspert i problemeve kurrizore në një spital bamirësie në Gjermani, ky eksperiment ishte një mjet studim interesant, dhe duhet të pasohet me analiza të tjera mjekësore. “Studime më të mëdha do të jenë shumë të rëndësishmë të përcaktojnë se cilët pacientë do të reagojnë mirë, pak më mirë ose aspak,” tha ai. Pajisja mendohet të dalë në treg brenda dy vitesh dhe çmimi i saj mund të variojë nga 5000 deri 10000 euro në varësi të funksionit. Ajo mund të përdoret edhe nga personat të cilat i janë nënshtruar rehabilitimit për goditjet që kanë pësuar në tru.