Janë me mijëra banorë të Malësisë së Tetovës që kanë braktisur vatrat e tyre për një jetë më të mirë në vendet evropiane, duke lënë shtëpitë e tyre të pabanuara, dhe kjo do të ishte mundësi e mirë që të njëjtat të shndërrohen në bujtina, hotele, restorante për vizitorë të huaj… Megjithatë, Qeveritë po vijnë dhe shkojnë, ndërsa askush nuk investon në Malin Sharr
Urim HASIPI
Tetovë, 25 shtator – Masivi i Sharrit krahas bukurisë dhe pasurisë natyre, paraqet edhe vendbanim për shumë qytetarë autokton që nga periudhat e mëhershme. Janë me dhjetëra fshatra që gravitojnë në Malësinë e Sharrit, duke filluar nga Jazhinca e deri në Gostivar. Pikërisht në këtë masiv malor, janë me dhjetëra, liqene, ujëvara, lumenj, bimë dhe shtazë të rralla, vendbanime të rralla që kanë ruajtur arkitekturën tradicionale e kështu me radhë. E tërë kjo pasuri natyrore që është prekur nga dora e njeriut dhe e cila e ka shkatërruar me prerjen e dunjve, vazhdon të jetë e pa eksploruar dhe e mbyllur hermetikisht për turistët. Banorë, profesorë dhe shoqata joqeveritare shprehen se mungon interesimi i shtetit, por edhe i autoriteteve lokale që kjo zonë të zhvillohet në një atraksion turistik.
Hisen Xhemaili, thotë krahas shumë përparësive, ka edhe mosinteresim që Sharri të jetë destinacion për turistë të huaj të apasionuar pas bukurive të malit. “Mali Sharr bazuar në resurset natyrore, ka shumë mundësi për zhvillim të turizmit. Paraqet një regjion që gjithsesi duhet mbrojtur dhe shfrytëzuar për qëllime ekonomike, turistike, shkencore dhe edukative. Format e shumta dhe të llojllojshme morfologjike – cirqet, lumenjtë, liqenet, morenat, luginat e akullnajave, grykat, kanionet, shpellat dhe peizazhet atraktive relievore… mund të shfrytëzohen për qëllime turistike. Aktualisht mungojnë kapacitetet e akomodimit në vendbanimet brenda Malit Sharr në fshatrat e Malësisë, nuk ka informacione të mjaftueshme, ndërsa agjencitë turistike nuk e kanë të përfshirë në ofertat turistike për akomodimin”, thotë Xhemalili, sipas të cilit, përveç Qendrës “Kodra e Diellit”, nuk ka kapacitete akomoduese tjera, kurse duhet shteti të subvencionojë edhe shtëpitë private njëjtë sikurse në Ohër që, nëse mban turistë, të ketë një shumë të caktuar të hollash.
“Momentalisht janë disa bujtina në shtëpitë e alpinisteve në Luboten, në Kobilicë, një në Kodër të Diellit dhe tjera nuk ka”, thotë Xhemaili, ish-kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës. Banorët shprehen se në Malin Sharr ka kapacitete për zhvillimin e turizmit malor, madje kjo do të ishte një mënyrë e mirë që të parandalonte shpërnguljen masive të banorë.
Emin Denjalli, ish-kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Veshallë, shprehet se me shumë pak punë, mund të arrihet që të zhvillohet turizmi malor. “Malësia e Sharit ka resurse të mjaftueshme për zhvillimin e turizmit malor. Megjithatë, popullata jonë shumë më lehtë e kishte të punoj si punëtor krahu kudo të jetë se sa të merret me turizëm në vend të vet. E them me gojën plot se ka kushte për turizëm malor duke patur parasysh ujin e pastër dhe të mjaftueshëm. Nuk mungojnë as flora dhe as fauna, të cilat i ke të shpërndara gjithandej dhe është e dukshme se Mali Sharr është i veshur dhe me pyje të ndryshme, ndërsa ka edhe shumë bimë dhe shtazë që zhvillohen vetëm në Malin Sharr. Zonat malore janë të paprekshme, tani shumë pak punohet toka dhe kultivohet blegtoria edhe pse në këto zona mund të zhvillohet edhe peshkataria për shkak të lumenjve”, thotë Denjalli, i cili sqaron se shumë rrugë të cilët kanë filluar të ndërtohen janë devijuar duke pamundësuar zhvillimin e turizmit.
Nexhbedin Haliti, një aktivist për promovimin e Malin Sharr, shprehet se mungesa e infrastrukturës ka bërë që të mos zhvillohet turizmi.
“Mungesa e investimeve dhe sidomos e infrastrukturës mbajnë peng edhe mundësinë e zhvillimit turistik të kësaj zone me vlera të mëdha natyrore. Atraksionet e veçanta në bjeshkët e Sharrit janë sytë e Sharrit, apo janë 39 liqenet e Sharrit, ujëvara në Leshnicë, Skakallë, Bellovisht dhe në Vicë… Kanionet në Xhinibegj, Leshnicë e Epërme, Çaushicë dhe Vracë. Masivet gurore në Pllat, Xhinibegj, Piribeg, Çelepinë dhe në Kubilicë dhe lumenjtë Shkumbini,Muzdaçja, Bistrica, lumi i Bogovinës dhe lumi i Vicës”, thotë Haliti. Ai shprehet se nëse ka një interesim më të madh, kjo është një mundësi e madhe që të lulëzojë turizmi malor.
“Nëse kombinohet natyra e mrekullueshme dhe bujaria e njerëzve, edhe pse skajshmërisht të varfër, Sharri paraqet një potencial për turizëm të qëndrueshëm, qoftë ai turizëm malor, Eko-turizëm, turizëm aventurash, eksplorim, apo format tjera të turizmit që zbatohet sot në Europë apo edhe në vendet e Ballkanit, si në Bullgari, Shqipëri etj”, shprehet Haliti nga OJQ “Eko-Natyra” Tetovë.
Në ndërkohë, organizatat që merren me promovimin e bukurive të Malit Sharr dhe që janë pjesë e iniciativës për shpalljen e të njëjtit si park kombëtar, shprehen se mungon infrastruktura për zhvillim të turizmit malor. Ata thonë se mungon edukimi i popullatës lokale dhe promovimi në nivel ndërkombëtar.
“Problemi kryesor për mos zhvillim të turizmit malor ka ardhur si rezultat i mungesës së infrastrukturës dhe suprastrukturës së dobët turistike përgjatë tërë territorit në Malin Sharr. Kjo do ishte themeli për fillimin e të gjitha aktiviteteve. Komunikimi rrugor në rajonet rurale, hapja e shtëpive për turistët edhe në fshatrat malor, definim të vendeve për kamping, si dhe ofertë më e madhe e përmbajtjeve të ndryshme avanturistike. Por, jo edhe kaq, në qoftë se këto gjëra do t’i kishim, duhet medoemos të punohet me edukim të popullatës lokale, duhet pajtueshmëri të standardeve me vendet tjera më të zhvilluara, identifikim të rajonit në nivel ndërkombëtar, si dhe promovim të saj më gjerë. Ajo që është me e rëndësishme është se duhet bërë një studim gjithëpërfshirës me kahje dhe plane detajore për çdo segment të zhvillimi të turizmit malor”, deklaroi Metin Muaremi, kryetar i Organizatës CED, dhe përfaqësues i platformës “Miqtë e Sharrit”.
Në të kaluarën, sipas informacioneve, Ministria e Ekonomisë kishte caktuar një buxhet për të subvencionuar qytetarët për adaptim të shtëpive për akomodim, por nuk janë shfrytëzuar. Përndryshe, janë me mijëra banorë të Malësisë së Tetovës që kanë braktisur vatrat e tyre për një jetë më të mirë në vendet evropiane, duke lënë shtëpitë e tyre në vendlindje të pabanuara, dhe kjo do të ishte mundësi e mirë që të njëjtat të shndërrohen në bujtina, hotele, restorante për vizitorë të huaj. (koha.mk)