Doping-Liga, FFK-ja i kundërpërgjigjet Albert Bunjakit

0

Ish selektori i Kosovës që tani punon si instruktor në UEFA, Albert Bunjaki, të premten në emisionin sportiv “Favorit” në T7 dha deklaratë shokuese duke pohuar për përdorim të dopingut në futbollin kosovar. Në Federatën e Futbollit të Kosovës i kanë thënë Gazetës Express, transmeton gazeta Koha, se askush nuk guxon të deklarojë se në futbollin tonë përdoret dopingu. Sekretari Eroll Salihu ka folur rreth kësaj teme.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka dhënë opinionin e saj rreth deklarimit shokues të Albert Bunjakit, i cili të premten në emisionin sportiv “Favorit” në T7 me siguri të jashtëzakonshme tha se në futbollin e brendshëm të Kosovës përdoret Dopingu.  selektori i Kosovës, i cili tani punon edhe si instruktor në UEFA, tha se kjo temë mund të “fshihet”, por e vërteta është se në Kosovë ka futbollistë që përdorin substanca të ndaluara dhe se duhet të nis urgjent lufta anti-doping, që deri më tani as që ka nis në vendin tonë, shkruan Gazeta Express.

“Dopingu është problem shumë i madh në Kosovë. Ne mundemi me e mbyll këtë temë dhe mundemi të mos e diskutojmë, mirëpo dopingu ekziston në futbollin e Kosovës, mjerisht. Ekziston ky problem, ka ekzistuar edhe më herët dhe ekziston edhe tani. Mirë është të bisedohet me lojtarë, ta kemi edhe qendrën e dopingut”, deklaroi Bunjaki në emisionin “Favorit”.

Gara në IPKO Superligën e Kosovës në futboll është bërë tejet e fortë tashmë pasi katër klube, Ballkani, Drita, Prishtina dhe Gjilani, po luftojnë “dhëmbë për dhëmbë” për titullin e kampionit, kurse shumë skuadra tjera luftën e madhe po e bëjnë për t’iu shmangur rënies në një kategori më poshtë. Në këtë situatë është rritur frika e mundësisë së përdorimit të dopingut vetëm e vetëm për arritje të synimeve që i kanë klubet, për çka kanë bërë edhe investime të mëdha financiare. Alarmi erdhi edhe nga eksperti Albert Bunjaki.

Sekretari i përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu, i cili shprehu çudi me deklarimin “bombastik” të Bunjakit. “Nuk bën askush të akuzojë se në Kosovë përdoret dopingu. Nëse dikush di diçka, le t’i tregojë emrat. Ne jemi lodhur më me këto spekulime”, tha Salihu. Ai tha se FFK është shumë e interesuar për instalim kontrolli anti-doping në vendin tonë, por kushtet e kanë bërë të veten. “Ne kemi folur me doktorë. Kanë qenë në seminare për antidoping dhe së bashku po mundohemi ta krijojmë një laborator. Kemi folur edhe me Ministrinë e Sportit për këtë punë. Ne e kemi kërkuar një laborator, përmes të së cilit do t’i merrnim mostrat prej këtu, për t’i dërguar jashtë vendit”, deklaroi Salihu për Gazetën Express, përcjellë gazeta Koha.

Ai tha se FFK ka bërë përpjekje ta luftojë këtë fenomen me “kaçikun” e vet. “Murat Berisha ka qenë në asociacionin e antidopingut, VADA dy apo tri herë. Sa e di unë, ua kemi përcjellë të gjitha klubeve substancat e ndaluara cilat janë. As shtete tjera të rajonit nuk kanë laboratorë që mund të bëjnë ekzaminime, por i dërgojnë jashtë edhe ata. Dikush i dërgon në Vjenë e dikush tjetër në Zvicër”, nënvizoi Salihu. Sipas tij, në gara kampionale kontrollet anti-doping duhet t’i bëjnë Federatat, derisa shpjegoi edhe procesin e kontrollit. “Në ndeshjet ndërkombëtare është kompetencë e UEFA-s dhe FIFA-s të merret me antidopingun. Zakonisht vendoset më herët për lojtarët që duhet t’i nënshtrohen kontrollit të antidopingut, por kontrolli bëhet pas lojës”, shtoi Salihu.

Në Kosovë që nga paslufta ka pasur dyshime të forta për përdorim të substancave të ndaluara. Madje, ka pasur raste kur ish futbollistë e kanë pranuar se ky fenomen ekziston në futbollin kosovar dhe ka pasur nga ata që pas pensionimit nga futbolli aktiv edhe vet e kanë pranuar përdorimin e dopingut gjatë kohës kur ishin lojtar. Gjithnjë është përmendur “Ephedrine”, si njëra prej substancave të ndaluara, e që është përdorur kryesisht në futbollin kosovar.

Comments are closed.