Një ngjarje kurioze vjen nga qyteti italian i Reggio Calabria, atje ku një burrë rreth 45 vjeç është përpjekur të shtrohet në spitalin “San Giovanni di Dio” vetëm për të ndjekur ndeshjen mes Crotone dhe Juventus, që u fitua 0-2 nga bardhezinjtë, në pasditen e sotme. Por çfarë lidhje ka spitali me stadiumin? Shumë nuk e dinë se spitali i qytetit është shumë pranë stadiumit dhe nga dhomat e disa pavioneve, pas tribunës, mund të shihet e gjithë fusha e lojës në pëllëmbë të dorës. Duke qenë se të gjitha biletat e stadiumit ishin shitur, njeriu në fjalë u shtir si i sëmurë dhe kërkoi ndihmë mjekësore për t’u shtruar pikërisht në ndonjë nga pavionet me dritare nga stadiumi.
Vendimi i drejtuesve të spitalit ka qenë “blindimi” i institucionit për ditën e sotme, përjashtim do të bënin vetëm rastet urgjente. Në këto kushte personi nuk u la të hynte brenda. I njëjti episod ka ndodhur edhe në sezonin 2006-07 në Serie B, në vitin kur Juventus fitoi 3-0 ndaj Crotone. Edhe në atë rast, shumë tifozë kalabrezë u shtirën si të sëmurë për të parë ndeshjen “falas” nga dritaret e spitalit në krah të stadiumit. Ky është shembulli më i mirë se pasioni ndaj skuadrës së zemrës kalon gjithçka.