4 korrik 1954… Luhej finalja e Botërorit mes Gjermanisë Perëndimore dhe Hungarisë. Breza të artë futbollistësh, sidomos “maxharët” me Puskas, Czibor, Bozsik, Kocsis por sidomos… Hidegkuti. Pikërisht ky i fundit, i konsideruar si “falso nueve” (qendër sulmues i rremë) do të bëhej pjesë edhe i diskutimit të trajnerit të Gjermanisë së asaj kohe, Sepp Herberger, përpara ndeshjes. Gjermania ishte ndeshur në atë kampionat me Hungarinë në grupe, duke humbur 8-3…
“Nëse duam të fitojmë sot, duhet që të godasim zemrën e hungarezëve. Dhe, zemra e tyre nuk është Puskas, por Hidegkuti. Zyrtarisht si sulmues, por ai tërhiqet dhe lëviz fijet në mesfushë. Duhet bllokuar ai!”. Ky diskutim i shfaqur edhe në filmin “Mrekullia e Bernës” është ai që ndoshta shumë trajnerë duhet të bëjnë përpara se të ndeshen me Ajax.
Dakord Tadic, dakord Zyech, dakord De Jong apo edhe Neres, por ndaj Juventusit, në 180 minuta, ai që shkëlqeu dhe që është zemra e “shigjetarëve” ka një tjetër emër: Donny van de Beek. Shumë pak i sponsorizuar, mesfushori 22 vjeçar është ai që bën diferencën.
Loja e tij nuk bie në sy dhe duhet që të shënojë që ndoshta të marrë skenën. Në Torino, në hartën e gjurmëve grafike, Donny ka prekur thuajse çdo sektor të fushës, duke mbuluar hapësirat dhe duke shfrytëzuar linjat.
Fantazist i deklaruar, mbulon rreth 40 metrat e fundit dhe përveç progresionit me top në këmbë, ka edhe inteligjencën që të krijojë mure.
Çdo prekje topi kalonte nga mesfushori që me kalimin e viteve ka ndryshuar edhe stil loje dhe është formuar. Ndoshta, Van de Beek do të jetë i fundit që do të largohet dhe Ajax ka dëshirë ta mbajë edhe një tjetër sezon, edhe pse shumë skuadra janë futur në garë. Një rol i veçantë ai i një tjetër produkti të Akademisë së Ajax.
I lindur në Nijkerkerveen më 18 prill 1997, mesfushori i Ajax rritet në qytezën me 1500 banorë: në fillim te Veenschone Boys, më pas të rinjtë e Ajax, ashtu si ndodh për çdo talent përreth Amsterdamit. E ndodhur 13 km larg Ameersfort, Nijkerkerveen bëhet e vogël për djaloshin që në moshën 12 vjeçare braktis lumin Eem dhe familjen për t’u regjistruar në Akademinë e famshme.
Në fillim rritja graduale, te Jong Ajax, më pas thirrja në ekip të parë dhe rritja progresive. Jo vetëm kaq, por Donny është edhe një futbollist që ushtron presion që në top të parë, sapo skuadra e humbet.