Kosova, Shqipëria dhe hapësira politike shqiptare në Maqedoninën e Veriut, politikisht po bëjnë jetë të dyfishtë duke aktruar se janë për reforma e integrime, por në anën tjetër protagonistët e këtyre ndryshimeve i japin më tepër rrotës prapa në ambisin e paqartësive e dilemave
Nga Emin AZEMI
Botën politike shqiptare e ka zënë një zallamahi e çuditshme zënkash e ndërskamsash ndërmjet veti. Epilogu i kësaj zallamahie ndodhi para pak ditësh në Berlin, teksa politikanët e Prishtinës e Tiranës po shfrynin ajrin e fundit të mosdurimit nëpërmjet burive të marrëzisë. Idetë lokale, të ziera e përziera nëpër kuzhina të ndryshme, sa ora bëhen objekt grindjesh e përplasjesh publike e kanë zor të dallojnë kufirin që ndan diplomacinë sekrete nga pehlivanllëqet ala ballkanase.
Më i viktimizuar në gjithë këtë cirkusijadë akuzash e sharjesh doli të jetë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai me t’u kthyer nga Berlini iu deklaroi mediave se kishte qenë në zor të madh nga trysnia e Ramës e Thaçit (Hashimit) për heqjen taksës ndaj Serbisë. Doli pastaj Rama, në stilin e tij të njohur dhe e shpalli gënjeshtar homologun e tij nga Prishtina.
Asgjë mangut nuk la as Thaçi. Ky i fundit u mor më tepër me Berishën (Saliun). Vetëm një gjë nuk arritëm ta kuptojmë: a ishte po i njëjti Berishë me të cilin Thaçi takohej në tunelin e posahapur të Kalimashit, teksa spërkatnin me shampanjën e dollisë gjithë kodrat përreth, apo ndoshta dehja pas kësaj idile ka shkaktuar tronditje në perceptimin e Thaçit për ish miqtë e tij.
Nëse e analizon debatin që zhvillohet në hapësirën politike shqiptare, pa përjashtuar edhe atë në Shkup e Tetovë, rezulton që halli më i madh i politikanëve shqiptarë është i projektuar në formë të “armikut të brendshëm”, i cili duhet eliminuar me të gjitha mjetet. Për ta kundërshtarë tjerë nuk ka.
Po ta dëgjosh Bashën çka dhe si flet për Ramën, krijon idenë se opozitari i Tiranës e ka zbuluar çelësin magjik me të cilin mbyllen të gjitha problemet që ka aktualisht Shqipëria. Çelësi i quajtur Edi Rama, sipas Lulzim Bashës, duhet një orë e më parë të futet në vrimën e zezë të moskthimit prapa, sepse vetëm kështu shpëton Shqipëria nga apokalipsi politik që i kanoset.
Në anën tjetër, Edi Rama plot fodullëk e mospërmbajtje, ende nuk po jep të kuptojë se kriza politike në Shqipëri nuk mundet të tejkalohet pa një hap që ai duhet ta bëjë në drejtim të gjetjes së formulës së afrimit dhe mirëkuptimit.
Kosova, Shqipëria dhe hapësira politike shqiptare në Maqedoninën e Veriut, politikisht po bëjnë jetë të dyfishtë duke aktruar se janë për reforma e integrime, por në anën tjetër protagonistët e këtyre ndryshimeve i japin më tepër rrotës prapa në ambisin e paqartësive e dilemave.
Një përparësi që mund të shënohet edhe si favor për të gjithë këta është fakti se shqiptarët megjithatë ndodhen përfundimisht në sferën e interesave euroatlantike dhe kursi i lëvizjes së tyre në forma të ndryshme është në duart e aleatëve tanë Perëndimorë, kështu që edhe marrëzitë që i bëjnë politikanët tanë mbulohen disi nga ombrella e madhe e Brukselit dhe Uashingtonit. Po të mos ishte kjo ombrellë, balikatravellat tanë të politikës do të dilnin brekë shpuar në sy të botës
dhe cirkusiajada do të bëhej edhe më komike me pamjet e tyre donkishoteske.
Nuk jemi të sigurt se sa është garancë afatgjate kjo ombrellë për të mbrojtur në pakufi papjekuritë e politikanëve tanë, por ajo që është më se e sigurt ka të bëjë me nevojën e qarkullimit më të madh të ideve e gjeneratave, të cilat do të luanin nesër rolin e ventilimit të hapësirë sonë të tendosur politike. (koha.mk)