Donjeta Sadiku: Po e prisnim gjatë një medalje të Botërorit

Donjeta Sadiku ndihet krenare që ia mundësoi Kosovës medaljen e parë të Botërorit në boks në epokën e re. Boksieria kosovare u kualifikua në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror, i cili po mbahet në Stamboll, me ç’rast edhe e siguroi të paktën medaljen e bronztë.

Ajo ia doli ta mposht në çerekfinale garuesen nga Taipei, Wu Shih Yi dhe me këtë rast i siguroi medalje vendit të saj. 22 vjeçarja thotë se me këtë rast u shpërblyen mundi dhe sakrifica e madhe të bëra ndër vite.

“Kjo është ajo për të cilën jemi përgatitur në vitet e fundit, të marrim medalje në një garë të madhe siç është Kampionati Botëror i Boksit për femra. Ky është një moment më shumë se emocionues për mua, suksesi i punës sime të madhe. Mezi pres të paraqitem në gjysmëfinale”, ka thënë boksieria nga Gollaku për uebfaqen zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të Boksit – IBA.

Advertisements

Donjeta kishte fituar medalje edhe në Kampionat Botëror dhe Evropian për të reja, por kjo ishte medalja e parë për Kosovën për seniorë. Ndërkohë, IBA në shkrimin e saj ka potencuar se Donjeta Sadiku e ka bërë krenar vendin e saj me suksesin që e arriti në Turqi.

Boksieria kosovare do të garojë sot nga ora 18:00 në kërkim të finales së Botërorit. Nëse e fiton meçin e sontëm ndaj amerikanes Rashida Ellis, Sadiku do ta sigurojë të paktën medaljen e argjendtë si finaliste, ndërsa më pas do ta kërkojë edhe të artën.