Londër, 14 nëntor – Marrëveshja për Bregzit, që e propozon kryeministrja britanike Thereza Mej, potencialisht mund të çojë në shpërbërjen e Mbretërisë së Bashkuar, sepse sugjeron një qëndrim të ndryshëm ndaj Irlandës së Veriut. Këtë sot e tha deputeti i Partisë Demokratike Sindikaliste i Irlandës së Veriut, Xhefri Donaldson.
Ai është njëri nga dhjetë deputetët, të cilët sigurojnë shumicën parlamentare të Qeverisë së Mejit.
Donaldson thotë se nuk ka frikë nga zgjedhjet e reja, nëse marrëveshja e Mejit në Kuvend çon në një domosdoshmëri të tillë.
“Atë që pamë dhe e dëgjuam, nuk na bind se kjo është marrëveshja më e mirë”, thotë ai.
“Kjo marrëveshje potencialisht mund të çojë në shpërbërjen e Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa ne nuk mund ta mbështesim atë”, tha ai.
Në seancën e qeverisë britanike sot do të diskutohet për propozim-marrëveshjen mes Londrës dhe BE-së. Polemika të shumta ka shkaktuar çështja për kufirin mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore, i cili është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.