Don Pepe, tifozi që e sheh futbollin me zemër

20

Ndoshta asnjë tifoz tjetër në botë nuk e ndien futbollin me aq intensitet sa Don Pepe. Pavarësisht se ka lindur i shurdhër dhe humbi shikimin e tij në moshën 30-vjeçare, Don Pepe ka dëshmuar se nuk duhet as shikimi, e as dëgjimi për të mbështetur me pasion klubin e zemrës. Don Pepe është njëri prej tifozëve më të flaktë të ekipit nga Meksika, Atlas dhe për këtë atij i mjaftojnë vetëm dashuria dhe mbështetja e familjes, të cilat i ka gjithmonë. Don Pepe adhurohet prej të gjithë futbollistëve që bëjnë karrierë në futbollin meksikan, por dashurinë më të madhe e merr nga lojtarët e Atlasit. Ai insiston se gjithmonë e ka mbështetur këtë klub.

“Mbaj mend që, në zonën ku jetoja (Tlaquepaque, Jalisco), kishte njerëz që luanin në një klub aty pranë. Më vonë mësova se ata do të zhvendoseshin në ‘Estadio Jalisco’, dhe kështu gradualisht dashuria ime për skuadrën e Atlasit filloi të rritej. Tani jam tifozi më besnik i këtij klubi, që e shikoj me zemër dhe e përkrahi me tërë qenien time”, insiston Don Pepe.

Përderisa efektet e sindromës usher”, siç dihet gjendja e tij, u përkeqësuan me kalimin e kohës, barra u bë edhe më e rëndë për Don Pepen, emri i vërtetë i të cilit është Jose de Jesus Loera. I mësuar me shikimin e ndeshjeve nga tribunat e sipërme të stadiumit “Estadio Jalisco”, lojtarët në fushë filluan t’i shfaqeshin gjithnjë e më të paqartë, derisa përparimi mizor dhe i pamëshirshëm i sëmundjes së tij u bë një pengesë e pakapërcyeshme midis tij dhe pasionit të madh për Atlasin, që njihet ndryshe me nofkën “Los Zorros”.

“Ndjenja kur ekipi shënon gol është e veçantë për mua. Unë në fakt nuk mund t’i shikoj futbollistët duke shënuar, por unë mund t’i ndiej njerëzit duke festuar. Por ndjenja ishte ngjitëse, dhe unë fillova të kërceja sikurse të tjerët, pasi mund të ndieja dridhjet e tribunave. Kur fillova të qëndroja në shtëpi, nuk ndieja të njëjtin pasion nëpërmjet televizionit. Kështu që, kërkova nga familjarët që të më dërgonin në stadium në secilën ndeshje të Atlasit”, thotë Don Pepe.

Comments are closed.