Sivjet sezoni turistik dallohet me uljen e madhe të numrit të turistëve të huaj në raport me vitin 2019, dominimin e turistëve vendor, stabilizimit të caktuar, dasmat, ardhjes së mërgimtarëve që rikuperuan deri diku gastronominë dhe hotelerinë vendore
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 25 shtator – Turizmi vendor në vitin e kaluar renditej ndër sektorët më të goditur ekonomik. Pandemia, mbyllja e kufijve si dhe masat shtrënguese apo kufizuese, shkaktuan humbje të mëdha në këtë degë ekonomike. Edhe masat e ndryshme qeveritare për të ndihmuar këtë sektor, si shfrytëzimi i mbi 60 mijë vauçerëve për çka janë paguar afër 400 milionë denarë si ndihmë shtetërore për bujtjen në kapacitetet vendore akomoduese, ndihma për pagesën e pagave minimale, etj, vjet zbutën pjesërisht humbjet e mëdha në gastronomi dhe hoteleri. Edhe këtë vit projektet dhe masat e ndryshme qeveritare kanë ndihmuar tejkalimin e situatës në këtë vit krize. Sivjet sezoni turistik dallohet me uljen e madhe të numrit të turistëve të huaj në raport me vitin 2019, dominimin e turistëve vendor, stabilizimit të caktuar, dasmat, ardhjes së mërgimtarëve dhe dominimit të turistëve vendor që rikuperuan deri diku gastronominë dhe hotelerinë vendore.
Esnafi i turizmit thotë se sivjet në Liqenin e Ohrit ka pasur vetëm 10 për qind të turistëve të huaj në raport me dy vite më parë, apo para krizës së shkaktuar nga pandemia. “Ky sezon në përgjithësi as që mund të krahasohet me vitin 2019, megjithatë mund të thuhet se në muajt korrik dhe gusht i kemi pasur të plota kapacitetet bujtëse ngjashëm me periudhën e para krizës edhe si rrjedhojë edhe e pushimeve që ndërlidhen me 2 gushtin, koncerteve Verës së Ohrit etj. Megjithatë në periudhën janar-qershor kishim një periudhë më shumë se të dobët”, thotë Krste Bllazhevski, nga Shoqata e Hotelierëve të Maqedonisë. Në ndërkohë, nga Ministria e Ekonomisë thonë se masat po japin rezultate, dhe turizmi po kthehet ngadalë në normalitet.
“Numri i turistëve në periudhën janar – korrik 2021 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritur me 56.6 për qind. Numri i qëndrimeve gjatë natës është rritur me 46.4 për qind. Në shtatë muajt e parë, janë regjistruar 317,713 turistë të cilët kanë realizuar 1.034.645 qëndrime gjatë natës. Është rritur numri i turistëve vendor si rezultat i fushatës PUSHIME NË VEND dhe vauçerave për turizëm, ndërsa tek turistët e huaj VULA E SIGURISË (safe travel stamp) ka dhënë rezultatet e pritura”, thotë ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Gjithashtu, sivjet mbi 3000 punëtorë me të ardhura deri 30 mijë denarë do të fitojnë vauçerë prej 12 mijë denarë për pushime në hotelet vendore, që do të mund të shfrytëzohen deri në fundin e muajit nëntor. Kohë më parë, esnafi i turizmit theksoi si target për një sezon të mirë turistik, udhëtimet e organizuara turistike, një fushatë mediale për nxitjen e turizmit vendor si dhe promovim të përforcuar në shtetet evropiane që janë tregje tona tradicionale.
Nga shoqata e turizmit pranë Odës ekonomike të Maqedonisë thonë se ekzekutivi po dëgjon me vëmendje propozimet, idetë dhe nismat e punëtorëve turistik, është biseduar për këto çështje, por akoma mungon zbatimi dhe realizimi i tyre. Nga kjo shoqatë thonë se po vërehet një trend i humbjes jo vetëm të turistëve, por edhe të pozitave si destinacion turistik ku kësaj vere kanë munguar avionët çarter, autobusë ka pasur në numër të pamjaftueshëm që vlen edhe për udhëtimet e organizuara në drejtim të Maqedonisë së Veriut. Nga Oda ekonomike shtojnë se po dobësohen pozitat e shtetit në tregjet tradicionale, nuk po përforcohen në tregun rajonal, dhe aq më pak mund të mendohet për tregje të reja. Shoqatat e turizmit kërkojnë më shumë angazhime për turizmin vendor. “Promovimi urgjent në rajon, krijimi i kushteve për të fituar tregje ë reja që të mos humbet edhe viti 2022, përmbajtje të reja në nivel shtetëror dhe lokal si bazë për tërheqjen e turistëve, përkrahje për transportin ajror dhe parking falas për veturat dhe autobusët e huaj në parkingjet që ekonomizohen nga shteti apo komunat”, këto janë ndër të tjerash disa nga propozimet e sektorit turistik për një sezon të mirë turistik dhe udhëtime të organizuara turistike. (koha.mk)