Kështu siç po shkojnë punët, në 2019 – punën e vetme që do ta çojmë deri në fund, do të jetë emërimi i zëvendësdrejtorëve. Jo në pjesën e parë të vitit, sigurisht. Pasi të hyjmë në NATO! Do përzgjedhim emrat, pastaj dhe mbiemrat, do ketë grushte e ndoshta dhe plumba, si gjithmonë. Kryesorja, rreth 100 vetura zyrtare do të ndahen…
Nga Vedat MEMEDALIU
Sasho Mijallkovi natën e ndërrimit të motmoteve, falë Katica Janevës dhe Qeverisë së Zoran Zaevit, do ta kalojë sigurisht në hotelin “Meriot”, dhe bashkë me Kërsto Mukovskin, Sasho Valisevskin, Lupço Dimovskin e Johan Tarçullovskin, katër nga 33 të akuzuarit e 27 Prillit, do të ngrenë dolli në emër të lirisë. Liri e arritur falë paaftësisë dhe pazareve të pista që shumica parlamentare bëri në kurriz të drejtësisë dhe tonin, sigurisht.
Në “Meriot” do të jetë edhe Boris Damovski, aktori Vllado Jovanovski dhe Bogdan Ilievgski-Betmeni nga Lëvizja “Tvrdokorni”, ata që sot e kësaj dite nxisin urrejtje fashiste ndaj shqiptarëve me të ashtuquajturën “Tiranska Platforma”. Dollia kryesore, si propozues i amnistisë, do t’i takojë sigurisht ish-ministres së Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska. Mu te ballkoni i “Meriotit” para sheshit të mbushur me skulpturat e projektit “Shkupi 2014”. Një dolli si përfundim zyrtar i projektit “Drejtësi për të gjithë”.
* * *
Pa dyshim se qytetarët, mediat dhe gjithë ata që punuam në rrënimin e regjimit të Gruevskit, kanë të drejtë të komentojnë pazaret e fundit të Qeverisë me kriminelët e padënuar të VMRO-së që, megjithëse më 27 prill sulmuan themelin e shtetit – Parlamentin dhe rrahën deputetët, ata sot janë të lirë, bile edhe të shpërblyer. Ligji i amnistisë, e më pas edhe ndryshimet në Kodin Penal, dëshmojnë se Qeveria e Zoran Zaevit bash hiç nuk e ka pasur seriozisht kur thoshte se “drejtësia duhet reformuar, madje edhe me kushtin që të gjithë gjykatësit të shkarkohen”. Dhe, nuk kaloi më shumë se një vit, i pari i Qeverisë kapërdiu gjithë ato që kishte nxjerrë e që me gojën plotë fliste për “shtet të së drejtës”.
Përveç Zaevit, me qytetarët dhe drejtësinë u tall edhe Prokuroria Speciale e Janevës. Aktrimet e prokuroreve speciale dolën shterpë, jo aq profesionale siç proklamonin në fillimet e seancave gjyqësore. Gruevskin, po kjo Prokurori (bashkë me Policinë e Spasovskit) e lejoi të arratiset nga vendi. Po kjo Prokurori e lëshoi nga Shutka ish-ministrin Janakievski, ndërsa për Jankullovskën e akuzuar në dhjetëra lëndë, as që u kërkua paraburgim.
Masa e paraburgimit shtëpiak e kërkuar për të akuzuarit në rastet “Perandoria”, “Titanik” dhe të tjera është masë pozitive për sundimin e drejtësisë dhe për reformat që zbatohen, arsyetohet Janeva e PSP-së. Është e bindur se personat për të cilët është caktuar masë paraburgimi shtëpiak, nuk do të arratisen. Ashtu siç ishin të bindur edhe me Gruevskin.
** *
Dhe, në gjithë këto allashvereshe me drejtësinë dhe të ardhmen e shtetit, edhe partitë shqiptare nuk kanë mbetur prapa me tallje. Mbi 130 zëvendësdrejtorë, pjesa më e madhe shqiptarë, do të emërohen në drejtori dhe institucione që udhëhiqen nga kuadro maqedonas. Mbi 130 punësime ushtarësh politik, me shkollë e pa shkollë, të ditur e injorantë… secila mëhallë me “zyrtarë”, ani se punë nuk mund të bëjnë. Kryesorja nga një veturë me harxhime të shtetit (tonat) u takon.
Premtimet e mëdha për avancimin e të drejtave të shqiptarëve me kohë janë harruar. U harrua zyrtarizmi i shqipes në Kushtetutë, ashtu siç u harrua edhe zhvillimi i barabartë i rajoneve. Për gati dy vjet qeverisje, partitë shqiptare nuk po arrijnë dot të ndërtojnë 12 kilometra autostradë, nga Qarkorja e Shkupit deri në Bllacë, ndërsa Kosova përfundon tashmë plotë 77 kilometra. Punimet në vendkalimin e premtuar kufitar Bellanoc-Stançiç nuk lëvizin fare, ndërsa asnjë fjalë nuk thuhet për rihapjen e kufirit Llojan-Miratoc. “Këmbështremti”, siç tha dikur “plaku i Llojanit”, po del nuk është i vetmi që na mashtron. Na mashtrojnë dhe këta tanët. Më keq bile! Ka kohë që na thonë se “nuk është koha për kërkesa nacionaliste”, sepse NATO-n e kemi prioritet. “Të hyjmë njëherë, pastaj përveshim krahët”. Madje, të akuzojnë se je kundër NATO-s nëse kërkon të mos quhesh “20 për qind”!
Flitet për Kapitullin 24, 26 e kush dreqin e di, ndërsa harrohet se 80 përqindëshi i vendbanimeve ku jetojnë shqiptarët nuk kanë ujë të pijshëm e kanalizim. Ani se fshatrat po zbrazen nga të rinjtë, ndërsa bankat e shkollave përgjysmohem. Fondi për Inovacion, nga 80 projekte që mbështeti këtë vit, vetëm një kishte përzgjedhur nga Pollogu i shqiptarëve. Në njësitet policore dhe ushtarake, përfaqësimi i shqiptarëve vazhdon të jetë në vendnumëro. Edhe deklarimin e etnitetit duan ta ndalojnë. Entin e statistikave, aty ku shqiptarët me kohë e kanë derën mbyllur, s’është punë ta drejtojnë.
Dhe, kështu siç po shkojnë punët, në 2019 – punën e vetme që do ta çojmë deri në fund, do të jetë emërimi i zëvendësdrejtorëve. Jo në pjesën e parë të vitit, sigurisht. Pasi të hyjmë në NATO! Do përzgjedhim emrat, pastaj dhe mbiemrat, do ketë grushte e ndoshta dhe plumba, si gjithmonë. Kryesorja, rreth 100 vetura zyrtare do të ndahen…
(dhjetor 2018)