Brazili dhe Argjentina do të vihen përballë njëra-tjetrës nesër në një ndeshje e cila normalisht do të tërhiqte shumë vëmendjen e tifozëve të në të gjithë botën. Por në fakt nuk është kështu, pasi kjo sfidë, ka e gjitha si qëllim vetëm milionat e dollarëve që do të fitohen nga dy përfaqësueset.
Kjo, për faktin e thjeshtë se dueli do të luhet në Xhedah, shumë pranë Mekës në Arabinë Saudite. Si Argjentina, ashtu edhe Brazili, do të përfitojnë rreth 3 milionë dollarë secila për të luajtur këtë sfidë miqësore në këtë vend. Të dy palëve u nevojiten shifra të tilla, pasi kanë marrë goditje të rënda nga sponsorët pas dështimeve sportive dhe sidomos skandaleve të njëpasnjëshme që kanë përfshirë drejtuesit e federatave.
Kësisoj, aspekti sportiv i ndeshjes thuajse ka kaluar në plan të dytë, pasi sauditët po mundohen me çdo kush ta përdorin këtë sfidë si reklamë për vendin e tyre në një moment kur akuzohen se shteti ka organizuar vrasjen e një gazetari.
Kjo ka kaluar në plan të dytë faktin se duhej të ishte një test ku viheshin përballa përfaqësueset që kanë treguar shpesh një rivalitet të ndezur dhe rrezikon të zbehë plotësisht atë që duhej të ishte një ndër ndeshjet më të bukura të vitit.