Një ditë pas akuzave të atletes afrikano-jugore Caster Semenya se është përdorur si “kavie laboratori” nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF), ka ardhur sot replika e kësaj të fundit. “Më kanë përdorur si kavie, por nuk do të lejoj më që të përdorin trupin tim. U jam nënshtruar testeve të seksit dhe kurave hormonale”, tha Semenya, 2 herë kampione olimpike në garën e 800 metrave.
REPLIKA – “Biologjikisht është një burrë”, thuhet në dokumentat që IAAF-i ka dorëzuar në CAS (Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv), ku fillimisht fitoi betejën ligjore ndaj atletes. Ndaj dhe IAAF-i kërkonte që atletja t’i nënshtrohet kurave mjekësore për të ulur nivelin e testosteronit në trup, në mënyrë që të garojë si e barabartë me atletet e tjera.
Pas vendimit të CAS erdhi edhe ai i Gjykatës Federale Supreme në Lozanë, që i dha të drejtë atletes, duke pezulluar përkohësisht vendimin e IAAF-it që detyronte atletet t’u nënshtroheshin kurave mjekësore. Ky rregull i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës ka hyrë në fuqi nga 8 maj, por për momentin është pezulluar. Pritet që beteja mes atletes dhe IAAF-it të vijojë, por që nga ajo ditë ajo nuk ka garuar më.