DOKUMENTE EKSKLUZIVE: Vendosmëria e Jabollçishtasve për shkollë shqipe

Të mllefosur ndaj mospërfilljes së kërkesës së tyre, jabollçishtasit unanimisht vendosën ta bojkotojnë edhe vitin shkollor 1991/92. Në këto rrethana, Qeveria e RSM-së, angazhoi Komisionin për çështjet nga fusha e veprimtarisë shoqërore, i cili ngjashëm si Ministria e Arsimit, propozonte zgjidhje parciale

Nga Qerim LITA

Javën e kaluar shpalosëm mendimin e ministrit të Arsimit të RSM-së, Dimitar Dimitrov, në lidhje me kërkesën e banorëve të Jabollçishtit të Epërm e të Poshtëm, që shkollimi fillor tetëvjeçar të zhvillohet në gjuhën shqipe, e jo në gjuhën maqedonase. Siç do të shohim në vazhdim, malësorët e këtyre dy vendbanimeve e hodhën poshtë propozimin e Dimitrovit, i cili parashihte që nxënësit e ciklit të lartë, të dërgohen në Shkollën Qendrore në fshatin Çashkë ku mësimin do të zhvillohej në gjuhën joamtare, përkatësisht maqedonase. Të mllefosur ndaj mospërfilljes së kërkesës së tyre, jabollçishtasit unanimisht vendosën ta bojkotojnë edhe vitin shkollor 1991/92. Në këto rrethana, Qeveria e RSM-së, angazhoi Komisionin për çështjet nga fusha e veprimtarisë shoqërore, i cili ngjashëm si Ministria e Arsimit, propozonte zgjidhje parciale. Në të ndër të tjerave thuhej se “për vitin shkollor 1991/92 SHQF “TodorJanev” L. Çashkë ka shpall konkurs për herë të tretë për kuadër arsimor nga klasa e I deri në të IV dhe konkurs për kuadër arsimor për mësim në gjuhën shqipe nga klasa e V deri në të VIII”. Më tej thuhej se ndaj konkurseve të publikuara deri më datë 3 shtator 1991 ishin paraqitur vetëm 3 kandidatë për mësimin klasor, prej tyre siç thuhej “njëri me kualifikimin e nevojshëm, përkatësisht me akademinë pedagogjike të kryer”. Në këto rrethana, Komisioni vlerësonte se “nuk ekzistojnë kushte reale për përmbushjen e kërkesës së banorëve të Jabollçishtit të Epërm e të Poshtëm”.

I njëjti Komision në mbledhjen e mbajtur më 12 shtator 1991, me çrast sërish e shqyrtoi kërkesën e jabollçishtasve, ndërsa një ditë më pas Qeverisë së RSM-së i dorëzoi një raport me këtë përmbajtje:

Advertisements

“Komisioni i propozon Qeverisë ta pranoj mendimin e Ministrisë së Arsimit e të Kulturës Fizike në lidhje me Kërkesën e banorëve të Jabollçishtit të Epërm e të Poshtëm – Tito Veles për zgjidhjen e problemeve në arsimin fillor të nxënësve në këtë zonë si bazë për mendimin i cili do ti dorëzohet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Pranë kësaj, të vihet në dukje se për momentin realisht mund të sigurohet me sa vijon:

  1. Në vitin shkollor 1991/92 sipas gjendjes numerike të nxënësve (250) ekzistojnë kushte vetëm për zhvillimin e mësimit klasor nga klasa e I deri në të IV, pranë së cilës mësimi do të zhvillohej në dy ndërrime.
  2. Për nxënësit e mësimit lëndor nga klasa e V deri në të VIII mësimi do të organizohet në ShQF “Todor Janev” lagjja Çashkë në të cilën ka kushte hapësinore. Nxënësit munden të vendosen në Internat i cili gjendet në Shkollën Qendrore i cili i përfshinë të gjithë nxënësit nga rajoni i Çashkës si dhe të Jabollçishtit të Epërm e të Poshtëm.

Mundësia për rindërtimin e dy klasave dhe adaptimin e hapësirës ekzistuese në shkollën tetëvjeçare periferike “Liria” në fshatin Jabollçisht i Epërm do të shqyrtohet në periudhën e ardhshme”.

Ngjashëm sikurse mendimi i parë i Ministrisë së Arsimit, edhe ky vendim u hodhë poshtë nga banorët shqiptar të Jabollçishtit të Epërm e të Poshtëm, për arsye se në të nuk jepej as çfarë garance se nxënësit e ciklit lartë mësimin do ta zhvillonin në gjuhën amtare. Pushtetarët maqedonas të ballafaquar me seriozitetin dhe këmbënguljen e banorëve shqiptar për ta bojkotuar edhe atë vit shkollor, më në fund e panë si të domosdoshme zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi.

Pasi u sigurua një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve shqiptar, si në ciklin e ulët po ashtu edhe në atë të lartë, Qeveria e RSM-së, në mbledhjen e mbajtur më 3 tetor të vitit 1991, i cili për dallim nga dy mendimet e mëhershme të Ministrisë së arsimit e të Komisionit për çështje shoqërore, nuk parashihte që nxënësit e ciklit të lartë të vendoseshin në Internatin e SHQF të Çashkës, por të njëjtit të ngelin në Shkollën Tetëvjeçare “Liria” në fshatin Jabollçisht i Epërm, ku mësimi do të zhvillohej në gjuhën shqipe. Me këtë problemi i shkolëimit fillor tetëvjeçar në gjuhën amtare për nxënësit e Jabollçishtit të Epërm e të Poshtë, sikurse edhe të Vranocit të Epërm, mori një epilog përfundimtar. Më 7 tetor, nënkryetari e Qeverisë, Bllazhe Ristevski, e njoftonte Kuvendin për zgjidhjen e këtij problemi. Në të thuhej shprehimisht: “Shkolla Qendrore Fillore ‘Todor Janev’ nga Çashka – Tito Veles, pas konkursit të shpallur për pranim të arsimtarëve për shkollat periferike në fshatrat Jabollosht të Epërm e të Poshtëm dhe Vranoc të Epërm, më datë 3 tetor 1991 pranoi 17 asimtarë për zhvillimin e mësimit në gjuhën mësimore shqipe. Në vazhdim po e paraqesim në tërësi Vendimin e qeverisë së RSM-së, i cili siç u tha mësipërm u soll më 3 tetor të vitit 1991:

* **

“Ju njoftojmë se Qeveria e Republikës së Maqedonisë në mbledhjen e mbajtur më 3 tetor të vitit 1991, e shqyrtoi Kërkesën e banorëve të Jabollçishtit të Epërm e të poshtëm – Tito Veles për zgjidhjen e problemeve në shkollimin fillor të nxënësve nga kjo zonë me çrast solli këtë

VENDIM

Shkolla Qendrore Fillore “Todor Janev” nga lagjja Çashkë – Tito Veles, pas shpalljes së konkursit për pranimin e arsimtarëve për shkollat periferike në fshatrat Jabollçisht të Epërm dhe të Poshtëm dhe Vranoc të Epërm më 3 tetor 1991 për mbajtjen e mësimit në gjuhën mësimore shqipe, pranoi 17 arsimtarë. Viti shkollor për nxënësit në Jabollçisht të Poshtëm dhe Vranoc të Epërm nga klasa e parë deri në të katërt ka filluar dhe zhvillohet normalisht, ndërsa nxënësit në fshatin Jabollçisht i Epërm nga klasa e parë deri në të tetë në më shumë ndërrime (në dy përkatësisht tre për shkak kushteve hapësinore të kufizuara). Me këtë, në fakt kërkesa e banorëve të bashkësive lokale Jabollisht i Epërm dhe e Poshtëm – Tito Veles, është plotësuar në tërësi”. (koha.mk)