Jugosllavia e re e cila po krijohet do të jetë vend i popujve të lirë, e me këtë – në të shtypja nacionale nuk do të ketë vend as për pakicën shqiptare. Mirëpo – që kjo të shihet e të arrihet, që të arrihet edhe vet liria e Shqipërisë, përsëris, duhet, në radhë të parë të luftohet kundër pushtuesve gjerman dhe shërbëtorëve të tyre. Kjo përbën detyra e parë dhe më e rëndësishmja për ju dhe për ne
Nga Qerim LITA
Gjatë muajve gusht-shtator të vitit 1943, ndodhën disa përplasje dhe mosmarrëveshje midis Svetozar Vukmanoviq-Tempo, i deleguari i KQ të PKJ-së për Ballkanin – dhe Milladin Popoviqit, i deleguari jugosllav pranë KQ të PKSh-së, në lidhje me krijimin e lëvizjes partizane në Kosovë, e cila asaj kohe fare nuk haste në mbështetje te popullsia shqiptare. Më 13 gusht 1943, Tempo i raportonte KQ të LKJ-së, se situata në Kosovë nuk ishte zhvilluar në favor të politikës komuniste jugosllave. “Masat shqiptare – shkruante Tempo – në tërësi kërkojnë bashkimin me Shqipërinë dhe ekziston rreziku real që ato masa t’i mobilizoj grupimi reaksionar shovinist i Shqipërisë së Vjetër ‘Balli Kombëtar’”. Në vazhdim ai e përshkruante bisedën e zhvilluar me udhëheqjen komuniste shqiptare në të cilën kishte marr pjesë edhe M. Popoviqi, i cili siç thuhet në raport, kishte propozuar që “masat shqiptare të futen nën komandën e një Shtabi shqiptar në Kosmet, i cili do të ishte nën komandën Shtabit Kryesor të Shqipërisë, ndërsa ato serbe nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të Jugosllavisë”. “Millo (Milladini -Q. L.) madje – shton Tempo – mendon se është e nevojshme që Metohia (Rafshi i Dukagjinit – Q.L.) edhe në organizimin partiak të përfshihet në kuadër të PKSh-së…”.
Të njëjtin qëndrim Popoviqi e mbron edhe në letrën e tij dërguar më 29 gusht 1943 KQ të LKJ-së, ku veç tjerash vë në dukje se i njëjti duhet të kishte karakter të përkohshëm, përkatësisht, siç pohon “përderisa ta fitojmë masën e gjerë shqiptare në Kosovë e Metohi”. Mirëpo, kjo u hodhë poshtë nga udhëheqësi komunist jugosllav, J. B. Tito, i cili në dhjetor të vitit 1943 përmes një letre drejtuar KQ të PKSh-së vlerësonte se Popoviqi nuk kishte të drejtë kur pohon se PKJ-ë dhe PKSh-ë “duhet të prononcohen për qëndrimin e tyre rreth çështjes së Kosovës e Metohisë dhe si Kosovën e Metohinë e barazon me Istrën…”.
Se si në të vërtetë Tito e shihte zgjidhjen e problemit shqiptar në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti, në vazhdim, enkas për lexuesit e gazetës shqiptare KOHA – Shkup, po e botojmë të plotë letrën e përmendur më lartë të tij drejtuar udhëheqjes komuniste shqiptare. Origjinali i dokumentit, ruhet në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd, fondi KQ i LKJ-së, nën numrin 4830.
* * *
“Të dashur shokë,
Lidhur me letrën e shokut Millo (Milladinit) nga data 29 gusht 1943, si dhe bisedimet e delegatëve tuaj me shokun Millutin, e shoh si të domosdoshme që t’u përgjigjem pyetjeve të shtruara nga ana e juaj për pozitën e Kosovës e Metohisë dhe në lidhje me këtë, të vë në dukje, për disa fakte, të cilat kanë rëndësi të jashtëzakonshëm për zhvillimin e Luftës Nacionalçlirimtare, si në Kosovë e Metohi, po ashtu edhe te ju.
Kur bëhet fjalë për çështjen nacionale dy çështje duhet pasur parasysh:
E para, secili komb ka të drejtë në vetvendosje, përfshi këtu edhe shkëputjen.
E dyta, ne nuk mbështetemi në të gjitha lëvizjet nacionale, – por vetëm në ata të cilat janë të vërteta, që me vepër janë kundër imperializmit në përgjithësi, përkatësisht, të cilat vërtetë janë për zhvillim demokratik nacional.
Kjo nënkupton se shqiptarët në Kosovë e Metohi kanë të drejtë të përcaktohen se ku do të shkojnë dhe si të dëshirojnë. Mirëpo, ne tash ndaj kësaj, në përputhje të plotë me qëndrimin tonë teorrik, kemi këtë pikëpamje: shqiptarët në Kosovë e Metohi përbëhen nga shtresa më të ndryshme, të cilët nuk kanë aspirata e interesa të njëjta, prandaj, as që mund të shkojnë në rrugë të njëjtë. Përfaqësues të ndryshëm të Kolonisë së Pestë (term i përdorur në literaturën komuniste jugosllave që bëhej fjalë për “trathtarët” – Q.L.) që nga ish Jugosllavia dhe qeverisë kuislinge të Tiranës si dhe reaksionarë të ndryshëm të cilët presin ndihmë nga jashtë ndërsa në vepër bashkëpunojnë me okupatorin, e shtrojnë çështjen e Shqipërisë së Madhe, çështjen e bashkimit të Kosovës e Metohisë me këtë dhe të kësaj Shqipërie ose të Shqipërisë e cila – siç ata dëshirojnë – nuk do të ishte një krijesë demokratike e vërtetë, por lojë në duart e imperializmit. Këta elemente me të gjitha mënyrat e mundshme e pamundësojnë luftën e armatosur popullore kundër okupatorit, krijimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare midis shqiptarëve të Kosovës e Metohisë, në vëllazëri me nacionalitetet tjera në atë zonë. Krejtësisht është ndryshe rasti me popullin shqiptar, me masat popullore të Kosovës e Metohisë. Është në intersin e tyre, ardhmërisë së tyre në Kosovë e Metohi dhe ardhmërisë së vet Shqipërisë, krijimi i lëvizjes së fuqishme nacionalçlirimtare kundër pushtuesve gjerman, që është e vetmja garancë edhe për fatin e të ardhmes së popullit shqiptar.
Duke e shtruar çështjen e bashkangjitjes, sot, do të thotë, ta çosh ujin në mullirin e reaksionarëve të ndryshëm, madje edhe te vet okuptarori, i cili dëshiron ta pengoj luftën e armatosur të popullit duke shpërnda te ta çështjen e parrezikshme dhe joaktuale, sepse si ka mundësi të krijohet lëvizje e vërtetë nacionalçlirimtare te shqiptarët në Kosovë e Metohi, madje edhe në Shqipëri, nëse nuk futesh në luftë të armatosur kundër pushtuesve gjerman dhe shërbëtorëve të tyre.
Shoku Millo nuk ka të drejtë kur pohon se Partia jonë dhe (ajo shqiptare) duhet të prononcohen për qëndrimin e tyre rreth çështjes së Kosovës e Metohisë dhe si Kosovën e Metohinë e barazon me Istrën e ngjashëm. Partia jonë ka pas dhe ka qëndrim të drejtë dhe mbështet dhe do të mbështes çdo lëvizje të vërtetë nacionale demokratike i cili çon kah dobësimi i imperializmit, ndërsa në këtë rast të çizmes gjermane dhe të gjithë ndihmësve të tij, të cilët paraqitën në forma të ndryshme në vend dhe në botën e jashtme. Lëvizjen demokratike duhet shikuar në zhvillimin e tij, ndërsa të gjitha faktet flasin se më e fuqishme është në Jugosllavi jo vetëm sot, por se ajo edhe në të ardhmen do të jep rezultate më të mira. Ajo që tash është fuqia kryesore në Ballkan. Kundër saj vepron e tërë klika reaksionare ndërkombëtare. Prandaj është e kuptueshme se rreth çështjes së Istrës dhe të krahinave tjera është e interesuar e tërë klika reaksionare dhe se këtë çështje nuk kemi guxuar ta shtrojmë në botën e jashtme, pas kapitullimit të Italisë, kur qeveria e Badolit dëshiron ta ruaj tërë atë të vjetrën. Krejtësisht ndryshe është rasti në Kosovë e Metohi, me të cilin rast klika të ndryshme reaksionare përpiqen ta pengojnë kryengritjen e armatosur kundër okupatorit dhe lëvizjen tonë ta paraqesin si serbomadhe. Vetëm lufta e armatosur kundër okupuarit mund të tregoj qartë se kush çfarë dëshiron dhe të gozhdohet demokracia e vërtetë dhe vëllazëria midis popujve, ndërsa nuk ka nevojë të theksohet se kjo çështje nuk mund të paraqet problem midis nesh dhe Shqipërisë demokratike antiimperialiste.
Sot, te populli shqiptar në Kosovë e Metohi duhet zhvilluar dashuri vëllazërore ndaj popujve heronj të Jugosllavisë dhe luftën e përbashkët kundër pushtuesve gjerman. Vetëm në luftë të tillë populli shqiptar mund të njoftohet se lëvizja nacionalçlirimtare në Jugosllavi nuk është dhe nuk mund të jetë armik i tyre, por mik dhe bashkëluftëtar në luftë për të ardhmen më të mirë të njërit dhe të tjetrit. Jugosllavia e re e cila po krijohet do të jetë vend i popujve të lirë, e me këtë – në të shtypja nacionale nuk do të ketë vend as për pakicën shqiptare. Mirëpo – që kjo të shihet e të arrihet, që të arrihet edhe vet liria e Shqipërisë, përsëris, duhet, në radhë të parë të luftohet kundër pushtuesve gjerman dhe shërbëtorëve të tyre. Kjo përbën detyra e parë dhe më e rëndësishmja për ju dhe për ne.
Me përshëndetje shoqnore”. (koha.mk)