Ndikimi i Barceolonës së Pep Guardiolës në botën e futbollit ka qenë i jashtëzakonshëm. Në mendjet e të gjithë tifozëve, ato katër vite janë të regjistruara gjatë pasi bëhet fjalë për një mënyrë loje në nivelin më të lartë. Një përmirësim i filozofisë së Cruyff, që bëri që klubi katalanas të fitojë pothuajse të gjitha trofetë, nëpërmjet një loje me fantazi të pastër. Çdo gjë që ndodhi gjatë këtyre katër viteve është përshkruar në dokumentarin “Take The Ball, Pass The Ball” (Merre topin dhe pasoje), ose siç njihet nga të gjitha “Tiki-taka” e Guardiolës.
Në këtë dokumentar, lojtarët që ishin dhe janë pjesë e klubit katalanas rrëfejnë se çfarë përfaqësojnë për ta, ato katër vite; si Pep Guardiola ndikoi që të arrinin një nivel loje që rrallë shihet.
Messi, Xavi, Andres Iniesta, Samuel Eto’o, Carles Puyol, Javier Mascherano, Víctor Valdes dhe shumë personazhe të tjerë shfaqen duke folur për filozofinë e trajneri të Santpedor, sot i Manchester City. Gjithashtu në dokumentar flitet edhe për rivalitetin me Mourinho, ndikimi i Johan Cruyff në të gjithë këtë proces, për përkushtimin e lojtarëve ndaj trajnerit dhe reagimet e para kur Pep erdhi në krye të stolit.
Trajneri spanjoll, i cili fitoi dy Champions League, dy Botëror për klube, dy Superkupa Europiane, tri Liga Spanjolle, dy Kupa Mbreti dhe tre Superkupa Spanjolle me Barcelonën, ka rrëfyer se çelësi i suksesit ishte “këmbëngulja”.
“Kjo ndodh vetëm një herë në jetë. Kam nostalgji për të parë ato imazhe (sukseset e tij në Barcelonë) dhe një motiv për të gëzuar. Pas 20 vitesh kur të lexojmë në libra historinë tonë, është diçka e mirë që kemi lënë gjurmë”, tha Guradiola teksa kujtoi kohën kur ai drejtonte Barcelonën.