Mjekët nuk përjashtojnë faktin se pacientët duhet të marrin informacionin në libra dhe më pas të kërkohen këshilla nga profesionistët, por jo edhe të konsumohen ilaçe të blera në internet dhe pa konsultim paraprak me mjekun
Delvina KËRLUKU
Shkup, 3 shtator – Kërkimi i vazhdueshëm për informacione në internet mbi sëmundjet ka bërë që shumë njerëz të heqin dorë nga doktori dhe me këtë, të rrezikojnë edhe shëndetin. Alarmi është ndezur me rritjen e madhe të faqeve në internet – gjoja të shëndetësisë dhe shit-blerjet online të ilaçeve, pa kontroll paraprak të institucioneve shëndetësore si dhe pa adresë të saktë të shitësit në internet, shkruan gazeta KOHA.
Shumë qytetarë thonë se vizitojnë faqet e internetit për një dietë, për të trajtuar infeksione të ndryshme, për të trajtuar ekzemën, e cila është forma më e mirë e qetësisë ose për një gjumë më të mire në orët e vona të natës. Mjekët nuk përjashtojnë faktin se pacientët duhet të marrin informacionin në libra dhe më pas të kërkohen këshilla nga profesionistët, por jo edhe të konsumohen ilaçe pa konsultim paraprak me mjekun. Dr.Besnik Zeqiri thotë se është e pajustifikueshme që i një sëmur të gjejë këshilla për sëmundjen e tij në internet, kur i njëjti ka mjekun amë dhe specialistë të shumtë në klinika dhe institucione tjera shëndetësore në vend.
“Nuk e dimë se nga vjen kjo mungesë dëshire për të vizituar mjekun dhe të marrë informacionet e duhura në rast nevoje. Megjithatë, ka dy arsye – ose informohen nga rrjetet sociale, ose edhe për shkak të pritjeve të gjata që caktohen me të ashtuquajturën ‘temini im’. Kuptohet që duan të gjejnë menjëherë ‘derman’ për sëmundjen e tyre. Por, nëpërmjet internetit nuk është e justifikueshme të merren këshilla”, thotë për KOHA, Zeqiri.
Ai nuk përjashton faktin se ka forume që kontrollohen nga mjekë të mirëfilltë dhe kjo mund të praktikohet kur qytetari pyet dhe mjeku profesional përgjigjet.
“Por, në mënyrë vetjake të konsumohet ilaçi që është ‘konsultuar’ nga çdo faqe në internet, është e ndaluar rreptësishtë, sepse pastaj nuk ka përgjegjësi mjeku në atë se çfarë ka ndërmarrë vetë pacienti. Duke dashur që pacienti ti bëjë mirë vetvetes, ai vetëm e ngadalëson procesin e trajtimit të një sëmundje ose madje e përkeqëson. Pra, është e papranueshme për mjekun që pacienti të merr udhëzime për barëra nga interneti dhe më pas të ankohet se ato barëra nuk i kanë bërë mirë”, thotë Zeqiri.
Me këtë rast, mjekët apelojnë që Ministria e Shëndetësisë, por edhe institucioneve tjera përkatëse si Ministria e Shoqërisë Informative, dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, si dhe ajo e Punëve të Brendshme të bëjnë kontroll të rrjeteve sociale, me qëllim që të bllokohen faqet që tregtojnë ilaçe të dyshimta dhe me këtë rrezikojnë jetën e qytetit.
Në ndihmë të qytetarëve janë ofruar edhe farmacistët, të cilët siç thonë nga Shoqata e Farmacistëve, janë personat konkret që japin përgjigje për përmbajtjen dhe rrezikshmërinë e një ilaçi, qoftë madje i blerë edhe online.
“Roli i farmacistit është të komunikojë me çdo pacientë për të marrë informacion në lidhje me gjendjen e tij, trajtimin që përdor dhe cilat ilaçe ai përdor. Farmacisti mëson e pacientin se si të marrë medikamentet dhe të eliminojë dilemat që ekzistojnë tek njerëzit që përdorin informacion online”, thonë nga farmacia “Val Farm” në Shkup.
Nga ana tjetër, mjekët thonë se shumë sëmundje mund të kenë simptoma të ngjashme, ndërsa vetëdiagnostikimi dhe trajtimi mund të çojë në pasoja katastrofale. Mund të ketë gjithashtu një situatë të kundërt kur një pacient, me “ndihmën” e Google, konstaton se nuk ka sëmundje serioze dhe kështu vonon vizitën e mjekut, gjë që mund të përfundojë me pasoja serioze.
Hulumtimet tregojnë se 1 në 7 njerëz në Evropë diagnozat e tyre i kërkojnë në internet, dhe supozohet se numri i këtyre pacientëve është në rritje me rritjen e numrit të faqeve të internetit. Numër alarmant i qytetarëve që i drejtohen internetit për ndihmë mjekësore ka edhe në Maqedoni. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme raportojnë se
shumë qytetarë janë ankuar se janë mashtruar dhe dëmtuar nga faqe të ndryshme të enterit që gjoja, ofrojnë shërbime mjekësore.
“Kur një qytetar vendos t’i drejtohet internetit për blerje online, duhet pasur shumë kujdes kur japin të dhënat personale dhe llogaritë bankare, pasi i madh është numri i qytetarëve që po mashtrohen dhe po pësojnë. Ka raste kur shuma e paguar nuk korrespondon me produktin e blerë, ndërsa firma që ka bërë shitjen online, nuk është e regjistruar në asnjë institucion shtetëror në vend”, thonë në MPB. (koha.mk)