Shkup, 30 gusht – Me sjelljen e 40 administratorëve nga MO-ja do të përmirësohet vazhdimisht përfaqësimi adekuat në Doganat e Maqedonisë, deklaroi zëvendësdrejtori i këtij institucioni Irfan Buçi në emisionin “10Minuta” në televizioni TV21.
Lidhur me stafin e kësaj drejtorie, gjegjësisht sa doganier të punësuar shqiptarë ka në të gjithë vendin, ai tha se nga gjithsej 1095, 885 janë maqedonas, 170 shqiptarë, 17 turq, 12 serb, 5 vllehë dhe 1 rom.
Përqindja e shqiptarëve, siç informon Buçi, është 15,53 për qind, 80 për qind janë maqedonas dhe përqindja tjetër e nacionaliteve të tjera.
Sipas zëvendësdrejtorit të Doganave, Irfan Buçi, Republika e Maqedonisë ka shkëmbim më të madh mallrash dhe shërbimesh më shumë me Republikën e Kosovës, gjegësisht me shtetet fqinje sikurse me Bullgarinë, Greqinë dhe Serbinë.
Gjithashtu ai shtoi se gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2018 Doganat e Maqedonisë kanë sekuestruar gjithsej, 150 mijë euro, 460 kilogramë lëndë narkotike të llojit kanabis dhe të llojit kokainë 15 gramë.