Jair Bolsonaro, kandidati presidencial i ekstremit të djathtë në Brazil, i cilësuar shpesh si “Trump i Tropikut”, arriti të fitojë zgjedhjet e zhvilluara të dielën duke marrë kështu në dorë “frerët e vendit.
“Brazilianët janë të lodhur nga korrupsioni, nga dhuna në rritje, nga një ekonomi që nuk është përmirësuar, dhe Bolsonaro ka bërë shumë premtime për t’i rregulluar këto gjëra”, tha Peter Prengaman, drejtori i lajmeve i Associated Press Brazil, duke shpjeguar votën pro një figure të tillë.
Bolsonaro ka një histori me deklarata kundër homoseksualëve dhe cilësohet i dhunshëm e racist, por vetëm pak ditë pasi mori postin e Kreut të Shtetit, ai po synon të ndikojë edhe në politikat mjedisore të vendit, duke alarmuar shkencëtarët anembanë globit. Si presidenti i Brazilit, Bolsonaro do të kontrollojë gati dy të tretat e Amazonës, “mushkrinë” e planetit Tokë dhe zonën më të madhe tropikale.
Ai ka argumentuar se shumë zona të mbrojtura nga mjedisi po pengojnë zhvillimin e vendit, ndaj po mendon për hapjen e një autostrade përmes Amazonës, duke shkatërruar faunën dhe florën, por parashikon edhe dëbimin e organizatave joqeveritare mjedisore si “Greenpeace” dhe “Fondi Botëror i Kafshëve të egra” nga vendi.
Siç edhe “The Guardian” raportoi më parë këtë muaj, Bolsonaro ka në plan prerjen e pyjeve tropikale më të mëdha në botë dhe kritikët kanë frikë se do të “institucionalizojë gjenocidin” në Amazonë, që do të ishte një proces shkatërrimtar për të gjithë planetin. Ai gjithashtu ka treguar se ka në plan të eliminojë Ministrinë e Mjedisit të Brazilit, njoftoi revista Science. Bolsonaro i premtoi kohët e fundit gazetarëve se Brazili do të qëndronte në marrëveshjen e Parisit, marrëveshjen historike globale të klimës që ai ka qenë kritik në të kaluarën. por është ende e paqartë se si ai do të mbështesë përfundimin e marrëveshjes së Brazilit, ndërkohë që do të presë pemët në Amazonë, gjë që ndihmon në ruajtjen e oksigjenit në botë.
“Planet e tij të pamatura për të industrializuar Amazonën në bashkëpunim me brazilianët dhe agrobiznesin ndërkombëtar, por ehe sektorët e minierave do të sjellin shkatërrime të panumërta dhe do të shkaktojnë fatkeqësi për klimën globale”, tha Christian Poirier, drejtor i programit Amazon Watch, në një deklaratë pas zgjedhjes së Bolsonaros.
Poirier nuk është i vetmi që është i shqetësuar. “Mendoj se i jemi drejtuar një periudhe shumë të errët në historinë e Brazilit”, tha Paulo Artaxo, një studiues i ndryshimeve klimatike në Universitetin e Sao Paulos. “Bolsonaro është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë mjedisit”, shtoi ai. Genevieve Guenther, i cili themeloi EndClimateSilence.org, tha në Twitter se zgjedhja e Bolsonaros “garanton që Brazili nuk do të bëjë asgjë për të frenuar emetimin e ndotjes dhe pyjet e Amazonës do të shfarosen”, ndërsa meteorologu Eric Holthaus argumentoi se një skemë pyjore privatizimi që presidenti i ri ka në mendje është në thelb “vetëvrasje planetare”.
Shkencëtarë të tjerë, si Jess Phoenix, një vullkanolog që konkurroi në një garë parësore demokratike në Kaliforninë Jugore gjatë verës, pajtohen me qëndrimet kundër projektit shkatërrues të Bolsonaros. Disa njerëz vendës që jetojnë në pyll thanë se kanë frikë se më shumë druvarë dhe minatorë mund të shkojnë drejt shtëpive të tyre nën udhëheqjen e Bolsonaros.
“Ne jemi shumë të frikësuar, kam frikë për jetën time”, tha Dinaman Tuxa, koordinatori kombëtar i Shoqatës së Popullatave Vendase të Brazilit, në një intervistë me Brazilin de Facto, duke shtuar se Bolsonaro do të “institucionalizonte gjenocidin”.