Do të restaurohet Xhamia Mbretërore (FOTO)

10

Xhamia e Hynqarit ndryshe quhet edhe Xhamia Mbretërore dhe është në listën e objekteve nën mbrojtjen e ligjeve të monumenteve, por që me një projekt që duhet ta realizojë Agjencia shtetërore për zhvillim e Qeverisë Turke – TIKA, pritet të shndërrohet në xhami sikurse ka qenë në fillimin e saj

Vjollca SADIKU

Dibër,22 shkurt – Mirëmbajtja e objekteve fetare islame në Komunën e Dibrës është në nivel. Myftinia e Dibrës ka ndërmarr të gjitha aktivitetet që xhamitë në komunë, por edhe në Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë, të cilat janë pjesë e Myftinisë së Dibrës , t’i mirëmbajë dhe atje ku ka nevojë – të intervenojë duke përkrahur projekte për rekonstruim. Bëhet fjalë për 36 xhami, mes të cilëve edhe Xhamia e Hynqarit në Dibër, e cila është një ndër xhamit më të vjetra në Ballkan, shkruan gazeta KOHA.

Koordinatori i Myftinisë së Dibrës, Reshat Kaçallniku, na informoi se një vëmendje e veçantë i kushtohet mirëmbajtjes së Xhamis së Hynqarit, e cila është ndërtuar në vitin 1468 me urdhër të Sulltan Mahmudit të 2. Xhamia në fjalë, siç thotë Kaçallniku, ka vlera të mëdha jo vetëm fetare, por edhe kulturo-historike. Xhamia ndryshe quhet edhe Xhamia Mbretërore dhe është në listën e objekteve nën mbrojtjen e ligjeve të monumenteve, por që me një projekt që duhet ta realizojë Agjencia shtetërore për zhvillim e Qeverisë Turke – Tika, pritet të shndërrohet në xhami sikurse ka qenë në fillimin e saj – të ketë një restaurim profesional. Marrëveshja me TIKA-n është arritur, thonë në Myftininë e Dibrës. Duhet theksuar se në oborrin e xhamisë janë varrezat e shumë personaliteteve dibrane, mes të cilëve edhe varret familjare të familjes Hoxholli, familja e njohur feudale që ka sunduar Dibrën për më shumë se dy shekuj, respektivisht nga viti 1619 deri në vitin 1863. Xhamia e Hynqarit deri tani ka patur disa sanime, por sipas ekspertëve, ata nuk kanë ndikuar në aspektin arkitektonik të këtij objekti fetare. Për këtë xhami të njohur janë realizuar shumë emisione televizive dhe është shkruar shumë. Pikërisht duke marr parasysh domethënien e xhamisë – përveç besimtarëve, ajo vizitohet edhe nga një numër i madh i grupeve turistike sidomos nga vendet e Europës.

Por sipas koordinatorit Kaçallniku, edhe xhamitë e tjera kanë vlerat e tyre. Këto ditë ka përfunduar sanimi i xhamisë së Budulecit, një ndër xhamitë më të bukura të Dibrës. Ky aktivitet u realizua me përkrahjen financiare të një dibrani, i cili për opinionin ngelet anonim. Shumë shpejt pritet sanimi dhe rekonstruimi edhe i disa xhamive të tjera në Dibër, por edhe në Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë.

Xhamia e Sahat Kullës, e cila është xhamia më e re në Dibër e që u ndërtua me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë të shtetit shqiptar – pritet që këto ditë të ketë disa ndryshime në oborrin e saj. Sipas koordinatorit të Myftinis, do të ndërtohet një abdes’hane, dhe një fontanë. “Në brendësi të xhamisë do të vendoset një hudbe, mihrabi dhe qursi. Bëhet fjalë për projekt, i cili ka për qëllim që elementet e përmendura të ndërtohen me dru dhe gdhendje speciale. Ky projekt tërësisht financohet nga mërgimtari dibran në SHBA, Muharem Lata. Po ashtu ka një projekt ideor që në periferi të oborrit, të cilin e zbukurojnë 100 dritare të rrethores me gurë, të ndërtohet edhe objekt – respektivisht zyrat të reja të Myftinis së Dibrës. Në afërsi të këtij objekti do të ketë edhe një objekt shërbyes. Gjithashtu, është drejt realizimit edhe projekti që financohet nga mërgimtari dibran Dritan Fida e që ka të bëjë me vendosjen e ngrohjes në xhami dhe ndërtimin e një abdes’hane”, tregon Kaçallniku.

Sa u takon xhamive në Zhupë dhe në Rekë, të cilët janë në territorin e Myftinis së Dibrës – edhe atje mirëmbajtja e tyre është në nivel. Popullata e këtyre zonave në kontinuitet kanë ndërtuar xhami të bukura me të gjitha standardet që u takon një objekti fetar. “Myftinia ka një bashkëpunim shumë të mirë me besimtarët në të tre komunat”, thotë Kaçallniku, ndërsa shton se një kontribut të madh në kontinuitet japin edhe shumë mërgimtarë dibran që jetojnë në SHBA, por edhe në shtetet Europiane siç janë Italia, Zvicra, Franca, Gjermania e tjerë. (koha.mk)

Comments are closed.