Nëse nuk është një obsesion, atëherë është një mendim fiks, që qarkullon prej vitesh në kokën e ish yllit të futbollit çek dhe të Juventusit, Paver Nedved.
Bëhet fjalë për triumfin në Ligën e Kampionëve, objektiv që Nedved nuk a arriti ta realizojë gjatë periudhës që ishte futbollist i bardhezinjve, por shpreson ta bëjë tani si drejtues.
“Po ta fitonim Championsin, do të lumturohesha në mënyrë ekstreme. Do të doja ta fitoja si futbollist, por nuk ia dola, ndaj dua që ëndrra ime të bëhet realitet tani që jam drejtues, Nëse do t’ia dilnim, mund të them se pastaj do të prehem i qetë në paqe”, tha Nedved.
Megjithatë ish fantazisti çek, tashmë drejtues i Juventusit, pranoi se bardhezinjtë janë favoritë për t’ia dalë këtë sezon, pasi kanë shumë cilësi dhe eksperiencë në skuadër, por theksoi se fillimisht duhet kaluar pengesa Atletico Madrid.
“Mendoj se kemi shumë cilësi dhe eksperiencë në skuadër, pasi kemi lojtarë që luajnë prej vitesh në nivele të larta, por edhe Ronaldon që e ka fituar disa herë këtë trofe. Megjithatë është shumë e rëndësishme që të bëjmë kujdes ndaj Atleticos së Madridit, që është një skuadër spanjolle, por që në fushë luan si italiane dhe do të jetë shumë e vështirë përballja me ta”, deklaroi Nedved.