Shkup, 20 nëntor – Pragu i informimit dhe alarmimit për ndotjen e ajrit me grimcat PM10 do të ulet prej pesë në dy. Në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ky si projekt tashmë po përgatitet, ndërsa sektori joqeveritar reagon se bëhet fjalë për prag të lartë të koncetrimeve dhe se duhet të ndiqen praktikat në vendet evropiane dhe ato të organizatës botërore të shëndetësisë.
Sipas propozimit të Ministrisë, në vend të informimit të deritanishëm për ndotjen e ajrit me grimcat PM10 prej pesë ditëve ulet në dy ditë, por me koncentrime të matura mbi 100 mikrogramë.
Pragu për alarmim me propozimin e MMJPH-së është parashtruar në dy ditë të njëpasnjëshëm me mbi 200 mikrogramë në metër kub grimca PM10, me intencë deri në vitin 2022 ai të ulet në mbi 150 mikrogramë në një metër kub.
Nga Minsitria theksojnë se për propozimin është konsultuar sektori joqeveritar dhe se po shqyrtohet në suaza të grupit ndërsektorial të punës.
Që të shpallet edhe pragu i informimit dhe alarmimit, sipas propozimit, duhet koncentrimet në territorin e Shkupit të regjistrohen në së paku dy stacione matëse.
Sektori joqeveritar konsideron se duhet të bëhet presion dhe ky propozim të ndryshojë, ndërkaq këto koncentrime të ulen në suaza të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, EEA-së dhe shembujve evropianë.
Në Evropë pragu i informimit është vendosur diku në dy ditë, diku gjatë 24 orëve apo 12 orëve, ndërsa koncentrimet lëvizin në Belgjikë prej 50 deri 70 mikrogramë, Hungari dhe Zvicër prej 75 deri 100 mikrogramë, në Francë është mes 50 deri 80 mikrogramë, por gjatë 24 orëve, në Sllovaki mbi 100 deri 150 mikrogramë në 24 orë dhe në Çeki mbi 100 deri 150 mikrogramë në 12 orë.