Në 15-16 vitet e fundit ka pasur më shumë përpjekje të pasuksesshme për ndërtimin e hidrocentraleve Çebren dhe Galishte, por ofertat serioze nga kompani të mëdha, si ajo gjermane RVE greke PPC, nuk janë realizuar në praktikë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 nëntor- Pas 13 përpjekjesh , më në fund edhe do të realizohet ndërtimi i Hidrocentralit Çebren. Ideja për realizimin e këtij projekti rrjedh nga vitet e 60 të shekullit të kaluar. Thirrja e fundit publike, para kësaj aktuale, është publikuar në vitin 2016. Me vendimin e fundit qeveritar, kompania greke PPC- ARCHIRODON E fitoi koncesionin për shfrytëzimin e ujit në lumin “Crna Reka” si ofertë më e favorshme. Kompnania grek deri në vit të ri do të themelojë një shoqëri aksionare me Elektroekonominë e Maqedonisë e cila do të ketë një të tretën e pronësisë në këtë hidrocentral që pritet të vendoset në funksion në vitin 2031.
Vlera e investimit është afër një miliardë euro. Edhe para më shumë se 30 viteve apo në kohën e ish-Jugosllavisë, nga këto tre hidrocentrale si Çebren Galishte dhe Tikvesh, është ndërtuar vetëm HEC-i i Tikveshit, i cili ende funksionon me sukses dhe është një pjesë e rëndësishme e ruajtjes së stabilitetit të sistemit elektroenergjetik. Në 15 -16 vitet e fundit ka pasur më shumë përpjekje të pasuksesshme përmes procedurave tenderuese për t’i ofruar këto dy hidrocentrale (Çebren dhe Galishte) së bashku me HEC Tikvesh një partneri privat i cili së bashku me Elektroekonominë është dashur t’i menaxhojë. Mirëpo edhe ofertat serioze nga kompani të mëdha, si ajo gjermane RVE (sot kompania më e madhe e energjisë në BE) dhe kompania shtetërore greke PPC, ato nuk janë realizuar në praktikë dhe janë anuluar e procedurat e tenderit. Prodhimi vjetor i pritshëm i energjisë elektrike është rreth 1000 gigavat orë, përderisa së bashku me një sistem kaskadë të hidrocentralit ekzistues do të prodhojë rreth 1200 gigavat orë apo rrymë për afër 180 mijë amvisëri.
Në ndërkohë, nga Komisioni Rregullator për Energjetikë thonë kriza energjetike ndihmoi që të dalin në sipërfaqe të gjitha lëshimet që janë bërë në 30 vitet e fundit në fushën e energjetikës. Njëherësh shtojnë së në këtë krizë janë shpenzuar para për të shuar “zjarrin” për paqen sociale që mund të përdoreshin për impiante për prodhimin e rrymës dhe ngrohjes për qytetet më të mëdha në vend. “Maqedonia e Veriut ende bazohet kryesisht në termocentrale dhe hidrocentrale të ndërtuara 40 vjet më parë. Shteti investoi shumë pak përmes kompanisë së tij energjetike në kapacitete të reja. Për krizën kemi shpenzuar 300 ose 400 milionë euro për të ruajtur paqen sociale mbi të gjitha, sepse amvisërive nuk mund t’u thuhej të paguanin dyfishin e energjisë elektrike ose dy-tre herë më të shtrenjtë ngrohjen.
Ato para u shpenzuan për të shuar ‘zjarrin’ dhe po të kishim ndjekur një strategji të përshtatshme me këto 400 milionë euro në vitet e mëparshme, mund të kishim ndërtuar një central kogjenerimi ose Çebren dhe tani do të na kthente shumë para”, thotë numri një i Komisionit Rregullator, Marko Bislimoski.
Ndryshe, janë paralajmëruar edhe investime të tjera greke në energjetikë si kompania greke “Militineos” që ka në plan të ndërtojë central me gaz për prodhimin e ngrohjes dhe rrymës në Shkup me vlerë prej 210 milionë euro. (koha.mk)