Nga viti shkollor 2018/2019 në shkollat profesionale do të nis zbatimi i programe të reja modulare, të cilat bazohen në rezultatet e mësimit dhe vlerësimin e rezultateve nga mësimi. Krahas kësaj, ministri Ademi paralajmëron edhe modernizimin e programeve mësimore ekzistuese. Përfitimet, thotë se do të jenë të dyfishta, sipas shembullit të shteteve të zhvilluara evropiane
Laura PAPRANIKU
Shkup, 5 korrik – Në fokusin e reformave në arsimin e mesëm, sikurse duket shkollimi profesional se do të zë një vend me prioritet në angazhimet e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi. Shtimi i orëve të praktikës nëpër shkolla, por edhe nëpër kompanitë përkatëse, pritet të pasohet së shpejti me modernizimin e programeve mësimore për arsimin profesional teknik, shkruan gazeta KOHA. Të paktën këto janë mesazhet që Ademi nuk është kursyer ti jap as gjatë takimeve me përfaqësues të institucioneve kompetente në Maqedoni dhe as në konferencat rajonale ku adaptimi i sistemit arsimor konformë nevojave të tregut të punës prej vitesh parqet sfidë edhe për sisteme shumë të zhvilluara arsimore se sa në Maqedoni. Fleksibiliteti në këtë pikë është i domosdoshëm, ka porositur Ademi në Berlin, ku të martën dhe të mërkurën u zhvilluan punimet e Konferencën Rajonale “Dinamiket e reja të arsimit teknik dhe profesional në Ballkanin perëndimor”.
Në paraqitjen e rastit, ministri i Arsimit pohoi se “arsimi profesional doemos duhet të jetë më fleksibël, kur bëhet fjalë për përshtatjen e të njëjtit me nevojat e tregut të punës”. Sepse, vetëm në këtë mënyrë do të krijohen nxënës me njohuri, shkathtësi dhe kompetenca adekuate, me të cilat menjëherë pas mbarimit të procesit arsimor do të jenë në gjendje të punësohen dhe t’u përgjigjen kërkesave të punëdhënësve, vërejti ai. Qeveria e Maqedonisë, sipas ministrit Ademi është e vetëdijshme për rëndësinë e arsimit profesional. E, në kontekst të kësaj, tha se punohet intensivisht si në avancimin e cilësisë së arsimit profesional ashtu edhe në nxitjen atraktivitetit, me qëllim që të ritet numri i nxënësve që zgjedhin këtë lloj të arsimit të mesëm. Në instancë të fundit do të jenë vetë nxënësit të cilët do të përfitojnë të parët pasi do ta kenë të sigurt dhe shumë më të lehtë punësimin.
“Nuk mund të flasim për arsim cilësor profesional nëse i kushtojmë më shumë vëmendje njohurive teorike e më pak aftësive praktike dhe kompetencave të nxënësve. Kjo është arsyeja pse u angazhuam për rritjen e orëve për trajnim praktik jo vetëm në shkollë por edhe në një kompani, te punëdhënësi, që është mjedis i shkëlqyer për të mësuar dhe për të zhvilluar aftësitë për përmbushjen e detyrave të punës”.
Përveç kësaj, ministria Ademi tha se do të punohet për modernizimin e programeve mësimore ekzistuese, si dhe për aplikimin e të ashtuquajturave programe të reja modulare në shkolla, që bazohen në rezultatet e mësimit dhe vlerësimit të rezultateve nga mësimi. Përfitimet, sikurse theksoi më tej ai, priten të jenë të dyfishta, sipas shembullit të shteteve të zhvilluara evropiane. Me këto module Maqedonia do të nis nga viti shkollor 2018/2019 ndërsa do të zbatohet në disa etapa. Në delegacionin nga Maqedonia, ministri i Arsimit ishte i shoqëruar nga një ekip më i gjerë përfaqësuesish mesin e të cilëve dhe drejtoresha e Qendrës për Arsim Profesional, Ajshe Selmani.
Konferencën Rajonale dyditore dedikuar ndryshimeve në sferën e arsimit profesional dhe teknik në vendet e Ballkanit Perëndimor,u organizua nga Ministria Federale e Gjermanisë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, ndërsa pjesëmarrësit e të gjithë shteteve të Ballkanit perëndimor kanë prezantuar praktikat dhe përvojat e tyre sa i takon reformave të arsimit të mesëm dhe aftësimit profesional. Konferenca do të mbyllet me përgatitjen e konkluzioneve dhe rekomandimeve për veprimet që duhet të ndërmarrin vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim të avancimit të mënyrave për përgatitjen e kuadrit, i cili do të kontribuojë në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë në nivel rajonal. (koha.mk)