Shkup, 7 mars – Në Universitetin “Fan Noli” në Korçë do të ketë mësim për gjuhën maqedonase, që si ide ka lindur nga Simpoziumi shkencor kushtuar “Jetës dhe veprës së Stero Spase-s”, në dhjetor të vitit të kaluar (2018), kur ministri Edmond Ademi në bisedë e sipër me rektorin profesor- doktor Ali Jashari, kishte kërkuar rritjen e bashkëpunimit dhe forcimin e lidhjeve mes universitetit “Fan Noli” dhe universiteteve nga Republika e Maqedonisë së Veriut.
Siç kumtoi Kabineti i ministrit të Diasporës Edmond Ademi, në këtë drejtim, ka pasuar takimi mes ambasadorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shqipëri, Danço Markovski, rektorit të universitetit “Kliment Ohridski”- Manastir, Sasho Korunovski, dhe rektorit të universitetit “Fan Noli”, Ali Jashari, më 4 mars të këtij viti, nga ku janë inicuar dy propozime konkrete – hapja e mësimit të gjuhës maqedonase dhe organizim i përbashkët në testimin e njohjes së gjuhës maqedonase dhe dhënien e certifikatave për studentë të interesuar.
Rektori Ali Jashari ka vlerësuar lartë bashkëpunimin mes universiteteve dhe idenë për t’u mësuar gjuha maqedonase. Jashari porositi që të merren masat e duhura që të nisë menjëherë realizimi i kësaj ideje.
“Ai ka kërkuar që në 30 ditëshin e ardhshëm të organizohet takim me homologun e tij, në Manastir ose në Korçë, për të nënshkruar mëmorandum bashkëpunimi dhe të definohen kushtet dhe mënyra e punës.Jashari u pajtua edhe me propozimin e organizimit të testimit së gjuhës maqedone, si dhe për mundësinë e njohjes së diplomave”, thuhet në kumtesë. (koha.mk)