Drejtorët e shkollave akuzojnë se politika e gabuar e MASH-it gjatë viteve të kaluara është fajtori kryesor që nxënësit nuk duan të mësojnë nëpër shkollat me zanate të ndryshme
Aida XHONI
Shkup, 7 gusht – Në Maqedoni mungojnë punëtorë nga më shumë sektorë të makinerisë, hotelierisë, elektroteknikës, bujqësisë… Për disa vite, vështirë do të gjendet saldator, montues apo brava-ndreqës, pasi askush nuk regjistrohet në programet trevjeçare nëpër shkollat e mesme, të cilat kanë drejtime për këto kuadro, edhe pse janë kuadro deficitare në shtet, shkruan gazeta KOHA. Drejtorët e shkollave të mesme profesionale në mënyrë dëshpëruese kërkojnë mënyrë ti joshin të rinjtë që të mësojnë në këto veprimtari. Ata shpresë shohin vetëm në arsimin dual.
Më këtë problem tanimë ballafaqohet Manastiri. Në shkollën e mesme teknike komunale “Gjorgji Naumov”, në Manastir, këtë vit nuk është paraqitur asnjë gjysmëmaturant që të mësojë në shkollën e mesme trevjeçare në drejtimin makineri-përpunues për metal-saldator dhe instalues të ngrohjeve dhe kondicionerëve-teknik i makinerisë energjetike. Për elektromekanik, gjithashtu program trevjeçar, janë paraqitur vetëm shtatë nxënës, dhe nuk dihet nëse do të kenë sukses që të formojnë paralele.
“Për drejtimin trevjeçar makineri, nuk kemi asnjë nxënës këtë vit, ndërsa ky kuadër është mjaftë i kërkuar në tregun e punës. Dy kompani nga Manastiri kërkojnë nga 20-30 nxënës të punojnë si saldues, disa si brava-ndreqës, ndërsa ne nuk e kemi asnjë që t’ua propozojmë. Nga njohuritë e mija, paga fillestare në këtë lëmi është 17.000 denarë”, thotë Vlladimir Rome, drejtor i shkollës. Ai vlerëson e problem i madh është edhe fakti se sipas konkursit të ri për regjistrim nëpër shkolla të mesme, është ndërprerë afati regjistrues i gushtit.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se regjistrimi i nxënësve nëpër shkolla të mesme realizohet në vazhdimësi. “Nga 20.699 nxënës, të cilët këtë vit e kanë përfunduar klasën e nëntë, në dy afatet regjistruese të qershorit janë regjistruar 15.310 nxënës. Duke pasur parasysh faktin se ne shumë shkolla ka ende vende të lira, jemi të bindur se asnjë nxënës i cili i plotëson kushtet, nuk do të mbetet jashtë procesit edukativo-arsimor”, thonë nga MASH-i. Drejtorët e shkollave akuzojnë se politika e gabuar e MASH-it gjatë viteve të kaluara është fajtori kryesor që nxënësit nuk duan të mësojnë nëpër shkollat me zanate të ndryshme. “U popullarizuan gjimnazet, por ja edhe aty nuk ka fëmijë. Problem është që të gjithë shikojnë të mësojnë arsim të mesëm katër vjeçar që të mund të shkojnë në fakultet. Askush nuk dëshiron të mësojë tre vjet. Gjithashtu, vlerësoj se MASH-i nuk duhet të përzihet në politikën regjistruese të shkollave. Duhet të lejohet që këtë ta bëjë vetëqeverisja lokale, e cila më së miri di se çfarë kuadri i duhet secilit qytet, sepse kanë bashkëpunim të ngushtë me bizneset dhe ekonominë”, thonë drejtorët e shkollave. Edhe në shkollën e mesme “8 Shtatori”, të Qytetit të Shkupit, këtë vit ka rekord numër të vogël të nxënësve të paraqitur për programet tre vjeçare. Drejtoresha Elizaveta Mladenovska thotë se për dy profilet arsimore – instalues i ujit dhe saldator-përpunues të metalit, janë paraqitur vetëm tre nxënës dhe për arsim në gjuhën maqedonase dhe shqipe.
“Parashtruam lutje në Qytetin e Shkupit që të na lejojë të formojmë paralele. Njëjtë sikur edhe çdo vit ballafaqohemi me numër të ulët të nxënësve, këtë vit qëndrojmë më së keqi me numrat. Mundohemi të tërheqim më shumë nxënës, përgatisim video promovuese, marrim pjesë nëpër emisione, por thjeshtë nxënësit nuk dëshirojnë të mësojnë. Nuk e kam të qartë përse gjimnazet janë aq tërheqës”, thotë Mlladenovska. Edhe për drejtimet tjera katërvjeçare në këtë shkolla mezi se janë regjistruar nga dhjetë kandidatë. Mlladenovska gjithashtu vlerëson se nevojitet afirmim më i madh i këtyre profileve. Ajo si model të mirë e potencon arsimin dual të cilin veç më e ka shkolla “Mihajllo Pupin”.
Me numër ekstrem të zvogëluar nxënësish ballafaqohen edhe një pjesë e shkollave të mesme bujqësore. Shkollat e mesme komunale të bujqësisë nuk kanë më shumë se 45 nxënës. Dhe kjo po ndodhë pothuajse në secilin qytet. “Kemi pesë profile arsimore. Vjet regjistruam 7, ndërsa sivjet 13 nxënës. Në shkollë ka vetëm 45 nxënës. Ndërtesa është e madhe dhe mund ta paramendoni se si duket. Për fat të mirë këtu i kemi edhe nxënësit e gjimnazit të sportit dhe duket një farë gjallërie”, thotë Bllagojçe Krivevski, drejtor i shkollës së bujqësisë në Manastir.
Situatë e njëjtë është edhe në Kumanovë, Tetovë, Gostivar e Strugë. Paralele të shumta janë shuar, pasi interesimi i nxënësve është mjaft i vogël. Fokusi vazhdon te jetë te gjimnazet dhe mjekësia, ndërsa MASH deri tani nuk ka ofruar asnjë strategji për zbutjen e situatës në shkollat trevjeçare profesionale. (koha.mk)