Tenistja rumune Simona Halep, numri 1 në botë për femra, ka konfirmuar sot se do të paraqitet në grand slam të Australian Open pa një trajner, pas divorcit që pati nga Darren Cahill. Rumunia tha se për disa muaj do të stërvitet dhe do të luajë pa patur një trajner edhe pse kjo zgjedhje mund ta penalizojë.
“Gjatë 3-4 muajve të parë nuk do të kem një trajner personal. Kjo është një çështje që nuk më shqetëson, dua të shoh se si do ta menaxhoj këtë situatë”, tha Halep, që e nisi këtë vit me humbje. Ajo u mund sot 2-0 (6-4, 6-4) nga Ashleight Barty në turneun e Brisbane.
“4 vitet e fundit kanë qenë më të bukurit e karrierës time dhe për këtë falënderoj trajnerin tim, Darren. Ai vendosi të largohet, për të qëndruar pranë familjes dhe e respektoj vendimin e tij. Pavarësisht se do të jem pa trajner, kam besim te forcat e mia dhe përvoja e fituar në këto vite, për të arritur objektivat e mi. Nuk kam nevojë për një trajner tjetër, do të di se si të kaloj pengesat, pasi jam stërvitur mirë dhe jam në formë”, u shpreh Simona Halep pas humbjes.