Shkup, 28 korrik – Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Hekurudhat e Maqedonisë dhe Infrastruktura”, Irfan Asani, do të largohet nga detyra kur të respektohen procedurat. Kështu thotë ai në një reagim drejtuar mediave, ndërsa demanton lajmet se “është rebeluar dhe se nuk e ka ndërmend ta lëshojë detyrën e drejtorit”.
“Do të largohem nga detyra në bazë të procedurës dhe as që jam rebeluar dhe as që e mbaj peng drejtorinë ashtu siç dezinformohet dhe shpifet. Për këtë do të ngremë procedura para organeve dhe do të ballafaqohemi në gjyq për dezinformata. Dua të sqarojë për të gjithë se Fatkeqësisht, në këtë rast, jemi ndërmarrje publike dhe procedurat e përfundimit apo lënies së detyrës dhe emërimin e drejtorit pasardhës bëhet në procedurë dhe rregulla të parapara me akte juridike. Kërkojmë mirëkuptim deri sa procedurat te vihen në vend”, thotë në reagim Asani, ndërsa thotë se me drejtorin e ri të Ndërmarrjes Publike “Hekurudhat e Maqedonisë dhe Infrastruktura”, Festim Halili, të emëruar së fundmi nga Qeveria, nuk ka asgjë personale, transmeton Koha.mk
“Ashtu siç duhet të ngarkohet në detyrë Festim Halili në formë dhe në bazë të procedurave, ashtu edhe siç është vendimi i Qeverisë, i cili edhe zyrtarisht duhet të arrijë tek Këshilli drejtues, megjithatë duhet të kemi mirëkuptim se edhe Irfan Asani meriton të përfundon detyrën zyrtare në baze të procedurave të cilat parashohin largimin nga vendi i drejtorit dhe këtu s’ka asgjë për t’u habitur. Festim Halili do jetë drejtor i ardhshëm dhe këtu nuk ka asgjë personale”, thuhet në reagim. (koha.mk)