Pep Guardiola ka një shqetësim kohët e fundit: rinovimi i David Silva. Aq shumë e mundon kjo gjë, sa trajneri i Mançester Siti vendosi ta shprehte publikisht para mediave. “Kur të kemi nënshkruar kontratën me të, atëherë do të jemi të lumtur. Ajo që ai ka bërë për këtë klub do të jetë e shkruar në librat e historisë. Unë shpresoj që të vazhdojë. Në të ardhmen, ndoshta nuk mund të luajë çdo tre ditë, por klubi ka nevojë për lojtarë që kanë luajtur këtu gjatë. Silva është një legjendë e vërtetë”, u shpreh Pep. Përveç kësaj, në kohët e fundit është folur mbi disa skuadra të interesuara për mesfushorin spanjoll. Milani dhe Las Palmas janë duke parë se çfarë ndodh me Silva dhe Mançester Siti. Silva, i cila mbush në janar 32 vjeç, ka një kontratë me “qytetarët” deri në vitin 2019. Klubi do ta zgjasë atë marrëveshje edhe për një vit, çka rrumbullakos dhjetë vite të tij në ekipin anglez. Përflitet se mesfushori spanjoll është pranë nënshkrimit të një kontratë të re deri në vitin 2020 dhe me një pagë prej 167.000 euro në javë.