E mbani mend portierin Heurelho Gomes, ai që në vitin 2011, kur ishte në portën e Tottenham, eliminoi Milanin nga Champions League? Aktualisht është 38 vjeç, luan në Premier League dhe mbron portën e Watford. Karriera e tij është drejt fundit, por e ardhmja e tij mund të mos jetë futbolli, por feja.
Në një intervistë të dhënë për “Watford Observer”, portieri brazilian tha: “Jam gati për jetën e re. Dëgjova Zotin që më kërkoi të jem pjesë e tij, ndaj do të bëhem prift. Kjo thirrje brenda meje ka qenë shumë e fortë 2 vitet e fundit, ndaj mund të tërhiqem nga sporti në fund të këtij sezoni. Gjithsesi, fillimisht do të flas me familjen time”, tha Gomes.
Më tej, portieri 38-vjeçar shtoi: “Vitet e fundit diçka ka ndryshuar brenda meje. Ky besim brenda meje është rritur pak e nga pak. Mendoj se ky është një shans i mirë për mua, që t’ua transmetoj këtë besim njerëzve të tjerë që kanë nevojë. Zoti më foli dhe më tha: Dua që t’i të më shërbesh në këtë mënyrë”.