Çdo deklaratë e pavarësisë së Katalonjës nuk do të ketë efekte. Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy paralajmëroi se do të përdorë çdo fuqi kushtetuese për të anuluar autonominë e rajonit. Duke folur për gazetën spanjolle “El Pais” ai tha se nuk përjashton asgjë brenda ligjit. “Do të ishte ideale nëse nuk do na nevojitet implementimi i zgjidhjeve ekstreme, por që kjo të mos ndodhë, gjërat duhet të ndryshojnë”. Rajoy gjithashtu hodhi poshtë çdo ndërmjetësim për te zgjidhur krizën. Kryeministri tha se ai planifikonte të mbante policinë e vendosur në Katalonja përpara referendumit, deri ne përfundimin e krizës politike. Ai shtoi se nuk do të thërriste zgjedhje të parakohshme kombëtare. Presidenti katalanas Carles Puigdemont pritet t’i drejtohet parlamentit rajonal të martën në 18:00 me orën lokale (16:00 GMT) pasi Gjykata Kushtetuese e Spanjës më parë pezulloi seancën e parlamentit katalanas, që ishte planifikuar për të hënën. Ka spekulime se parlamenti do ta shpalle pavarësinë në mënyrë të njëanshme në seancën e ardhshme. Më herët, mijëra njerëz u mblodhën në të gjithë vendin për unitetin spanjoll. Demonstratat ishin në përgjigje të referendumit të diskutueshëm ku 90% e katalanasve votuan pro shkëputjes.