Do mbesim pa mjekë, për 5 vite ikën 900!

Shkup, 28 nëntor – Mantelbardhët e Maqedonisë vazhdojnë të ikin. Kjo dukuri është shpeshtuar sidomos vitet e fundit, ku si arsye është punësimi i tyre në shtetet dhe ku pagesa është më e mirë. Kështu, gjatë 5 viteve të fundit, rreth 900 mjekë kanë kërkuar dokumentet e tyre nga Oda e Mjekëve e Maqedonisë që të mund të angazhohen jashtë. Gjermania është destinacioni më i preferuar të cilin mjekët e zgjedhin më shpesh për të punuar, por këtu është edhe Zvicra dhe vende tjera të Evropës, (për Zvicër, hëpërhë nuk mund të jepet një shifër e saktë sa është ky numër i mjekëve që kanë braktisur këtë shtet).

Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në një prononcim kohë më parë për Albinfo.ch, pati thënë se vetëm në dy vitet e fundit – numri i mjekëve të larguar nga Maqedonia për në shtetet e Evropës kalon numrin 200. Në shëndetin publik shpeshherë madje mungojnë infermiere. I fundit është shembulli në spitalin e përgjithshëm të qytetit “8 shtatori” në Shkup, ku për shkak të mungesës së instrumenteve teknike dhe infermiereve, përkohësisht janë mbyllur disa departamente dhe salla të operimit. Ky staf profesional ngadalë, por sigurt po humbet, ndërsa një nga arsyet kryesore është po ashtu punësimi në vende jashtë shtetit. Vlerësohet se së paku 400 infermiere kanë ndërruar uniformën nga shëndeti publik dhe kanë veshur ose uniformën e ndonjë spitali privat në Maqedoni, apo i janë bashkangjitur kolegëve në Kroaci, Gjermani apo Austri, disa dhe në SHBA dhe Australi.

VETËM SIVJET, 120 KËRKESA

Numri i mjekëve që janë larguar nga vendi për të punuar në shtete të tjera është vazhdimisht në rritje. Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve në Maqedoni – në vitin 2012, 138 mjekë kanë kërkuar vërtetim që të mund ta kryejnë punën e mjekut jashtë vendit, ndërsa në vitin 2016 këtë dokument e kanë kërkuar 172 mjekë. “Gjatë vitit 2017, deri në ditën e enjte – nga Oda e mjekëve 120 mjekë kanë kërkuar një vërtetim me të cilin do të mund ta ushtrojnë profesionin mjekësor edhe jashtë vendit”, thonë nga Oda e Mjekëve të Maqedonisë. Kompetentët, madje alarmojnë nga pasoja e këtilla, ndërsa fajin hedhin në politikat e gabuara që seriozisht po prekin sistemin shëndetësor. “Mjekët si profesion, janë të nënçmuar deri në atë masë që nuk duan të punojnë më këtu. Arsyet dihen, politikat shëndetësore të pushtetit të deritanishëm apo regjimi që solli në atë që një numër i madh i tyre të mos pajtohen të punojnë në Maqedoni. Kushtet të cilat po përjetojnë mjekët në Maqedoni nuk ekzistojnë as në Ballkan apo vend tjetër. Arsyet ekonomike janë me rëndësi, por jo edhe vendimtare”, ka pohuar Dejan Stavriq, ish lider i Sindikatës së mjekëve në Qendrën klinike në Shkup. Dëmi që pëson sistemi shëndetësor, sipas Stavriq, është i madh, ndërsa çmimin do e paguajnë qytetarët.

ÇMIMIN DO E PAGUAJNË QYTETARËT

Për atë se pse ikin dhe si të mbahet ky personel në spitalet shtetërore, nga Shoqata e Infermierëve të Maqedonisë, thonë se ka disa arsye. “Shumë nga infermieret, të cilat kanë mbaruar shkollimin e mesëm profesional, përcaktohen për profesione të cilat paguhen më mirë dhe ku mund të ndërtojnë karrierë akademike. Pesha e punës dhe puna me ndërrime është gjithashtu një nga arsyet për mungesën e infermiereve tek ne, nëse merret parasysh fakti se shumica nga të punësuarit janë gra, të cilat kanë rol kyç në familjen. Me liberalizimin e vizave, shumë infermiere nga Maqedonia vendosën karrierën e tyre profesionale ta vazhdojnë në vendet e zhvilluara evropiane, ku gjithsesi motiv janë të ardhurat mujore, por dhe zhvillimi i karrierës dhe mundësia për përvetësim më të lartë të arsimimit në magjistraturë apo doktor në infermieri”, thonë nga Shoqata e Infermiereve të Maqedonisë. Mirëpo nuk është vetëm paga arsye për largimin e këtij stafi nga spitalet dhe klinikat, por dhe ngarkesa e punës. Në vendet e BE-së, norma mesatare është 8.4 infermiere në 1000 banorë, për dallim nga Maqedonia ku kjo mesatare është 4. Këto janë të dhënat nga publikimi i fundit “Health at a glance” e Këshillit të Evropës në vitin 2016. Në lidhje me raportin mjek-infermiere, norma mesatare në BE është 2.5 infermiere në 1 mjek, ndërsa në Maqedoni është 1.4 infermiere në 1 mjek, që tregon se infermieret janë kuadër deficitar në shëndetin publik, të mbingarkuar me punë.

MJEKËT NGA KOSOVA DREJT ZVICRËS

Numri i mjekëve që po braktisin Kosovën për Zvicrën po rritet dita-ditës. Këtë e pranojnë edhe zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovë. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Faik Hoti në një intervistë për albinfo.ch tregon shkaqet e kësaj dukurie. “Largimi i një numri profesionistësh shëndetësorë (mjekë dhe infermierë) nga vendet e tyre që është më shumë karakteristik për vendet e Lindjes, por së fundi edhe për vet vendet e Evropës ka prekur pothuajse edhe të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën. Mjekët dhe infermierët nga Ballkani e kanë si qëllim kryesisht Gjermaninë e Zvicrën, sikurse edhe shumica e kolegëve të tyre të vendeve të Lindjes. Kjo, për shkakun që dihet, se kushtet profesionale në shtetet perëndimore krahasuar me vendet e Lindjes dhe të Ballkanit janë më shumë më të mira. Nga ana tjetër, vendet si Gjermania, Franca dhe disa shtete të tjerë në perëndim kanë mungesë kuadri, sidomos të kuadrit infermieror, pasi që kuadri i këtyre shteteve, sipas të dhënave, po lëviz drejt shteteve skandinave. Në Kosovë, asnjë institucion nuk ka të dhëna të sakta se sa mjekë apo infermierë mund ta kenë lëshuar Kosovën në vitet e fundit, sepse askush që largohet nuk njofton për këtë shkuarje në ndonjë institucion që mban statistika të këtilla. MSh ka të dhëna vetëm për numrin e mjekëve të regjistruar e licencuar pas luftës në Kosovë dhe jo për ata që kanë ikur. Megjithatë, sipas një hulumtimi të kryer nga profesionistë shëndetësorë që kanë qenë pjesë e MSh-së, numri i profesionistëve shëndetësorë të larguar nga Kosova në Gjermani sipas viteve që kanë qenë pjesë e hulumtimit (2009 -2013) është si vijon: 2009-10; 2010-26; 2011-67; 2012-67; 2013-109”, ka thënë Hoti.

KËRKESË E MADHE PËR KURSET E GJERMANISHTES

Rreth 1000 qytetarë nga Kosova vetëm gjatë këtij viti kanë ndjekur kursin intensiv të gjuhës gjermane në institutin “Gëte” në Prishtinë, shumica prej tyre mjekë dhe infermierë, të cilët kanë vendosur që të largohen nga vendi dhe të punësohen në Gjermani, ku vlerësojnë se kanë perspektivë më të madhe. Annamaria Farkas-Mecinaj, drejtoreshë e institutit “Gëte”, ka bërë të ditur për mediat në Prishtinë se gjatë vitit 2016 kurset e tilla i kishin ndjekur rreth 1200 vetë, ku interesimi më i madh është nga gjeneratat e reja, kryesisht mjekë dhe infermierë, të cilët po kërkojnë mundësi punësimi në Gjermani. (albinfo.ch)