Omer XHAFERI
Shkup, 24 janar – Privatësia e të dhënave personale të qytetarëve të Maqedonisë paraqet një marrëdhënie të ndërlidhur me teknologjinë e cila përdoret në vendin tonë, shkruan gazeta KOHA. Ky konstatim është përfshirë në Propozim-dokumentin e Drejtorisë për mbrojtjen e të dhënave personale (DMDHP), të cilët kanë bërë thirrje publike deri te opinioni më i gjerë (OJQ-të, institucionet, ekspertët) që të përfshihen në këtë debat, me qëllim përmirësimin e gjendjes kur behët fjalë për mbrojtjen e të dhënave personale. Në këtë dokument të titulluar, si “Strategjia për realizimin e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale 2017-2022”, nga DMDHP kanë theksuar se janë paraparë një sërë aktivitetesh që kjo drejtori në periudhë që vijon, duke synuar qasjen moderne të mbrojtjes së këtyre të dhënave. “Ky Propozim-dokument përmban aktivitete dhe sfida të reja që duhet përmbushur në periudhën që vijon, duke i pasur parasysh kërkesat kombëtare dhe ndërkombëtare që duhet zbatuar gjatë disponimit të parimeve bazë të profesionalizmit. Njëherit, ne kemi parashikuar një garancion për privatësinë e të dhënave personale, përmes vendosjes së sistemit të parandalimit, respektimit dhe mirëkuptimit të të drejtave dhe obligimeve”, thuhet në Propozim-dokumentin e publikuar nga DMDHP.
Gjatë përgatitjes së këtij dokumenti, siç thonë nga kjo drejtori, janë marrë parasysh disa trende globale që ndikojnë në mekanizmin për mbrojtjen e të dhënave personale, me qëllim të përgatitjes sa më të mirë për t’ju përgjigjur sfidave që vijojnë.
“Pyetjet më të shpeshta që në të ardhmen parashihet t’ju japim përgjigje, janë trendet e digjitalizimit që ndikojnë në krijimin e një shoqëri të lidhur përmes rrjeteve të ndryshme. Pastaj shpërndarja e shpejtë e informacioneve nëpërmjet internetit, e cila do të përmban të dhëna voluminoze, duke filluar nga e-marketingu, pastaj banimi i mençur, konceptet e e-qeverisë e kështu me radhë”, thuhet mes tjerash në brendësinë e këtij dokumenti, për të cilët opinioni më i gjerë ka mundësi të konkurrojë për pjesëmarrje në konsultime deri më 20 shkurtë, kur edhe përfundon afatin i aplikimit.
Në ndërkohë, ditë më parë drejtuesit e Fakultetit të Makinerisë në Shkup, njoftuan se studentët e tyre janë gjetur në mesin e 4700 studentëve tjerë, të cilëve përmes një adrese elektronike të këtij fakulteti u publikuan të dhënat personale në internet. Për këtë rast, nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se nuk kanë pranuar asnjë denoncim, megjithatë drejtuesit e Fakultetit të Makinerisë, këtë shkelje ligjor e kanë paraqitur në DMDHP. Sipas këtyre të fundit, pasi që e kanë pranuar denoncimin e palës së prekur, ato kanë iniciuar një inspektim të jashtëzakonshme të cilin e lejon neni 18 i Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Në bazë të procedimit të këtij rasti, DMDHP u ka rekomanduar qytetarëve ndryshimin më të shpeshtë të fjalëkalimeve, me qëllim mbrojtjen shtesë të të dhënave personale. Duke i cilësuar fjalëkalimet më të mira, nga kjo drejtori kanë potencuar se ato përbëhet nga kombinime të shkronjave të vogla dhe të mëdha, numra dhe simboleve specifike që rëndë mund të zbulohen. (koha.mk)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.