Barcelona u shpall kampione e La Liga për të 26-ën herë në histori, pasi fitoi 1-0 ndaj Levante, falë golit të Lionel Messit në pjesën e dytë. Në fund të sfidës ishte organizuar ngritja e trofeut në fushë dhe më pas festë për të gjithë lojtarët dhe familjarët e tyre që zbritën në fushë.Të shumë ishin fëmijët që iu bashkuan baballarëve të tyre, teksa Messi mbante në krah tre djemtë e tij, Suarez në anën tjetër kishte më të voglin, Lautaron, që është vetëm 6 muajsh. Një foto epike është shkrepur gjatë kësaj ceremonie, edhe pse thjesht një bebe, Lautaro është fotografuar në një moment teksa hap gojën fort dhe me nerva pranë supit të Suarez.
Veprimi i duhur në kohën e duhur dhe shkrepja perfekte e aparatit. Një veprim i ngjashëm me atë të sulmuesit uruguaian në ndeshjen Uruguai-Itali në Botërorin e vitit 2014, kur sulmuesi kafshoi në sup mbrojtësin e Juventusin, Giorgio Chiellini.
Kjo nuk është hera e parë që Suarez e bën diçka të tillë, pasi edhe në vitin 2010, kur ishte pjesë e Ajax, kafshoi rivalin e PSV, Otman Bakkal në sup dhe u pezullua për 7 ndeshje. Ndërkohë që kur ishte tek Liverpool u përjashtua për 10 ndeshje, pasi kafshoi në krah Branislav Ivanovic të Chelsea.