Djali i Khashogit arrin në SHBA

Djali i madh i gazetarit të vrarë saudit, Jamal Khashoggi, arriti bashkë me familjen e tij në Shtetet e Bashkuara nga Arabia Saudite.
Salah Khashoggi më herët nuk është lejuar të ikë nga Arabia Saudite, për shkak të kritikave të babait të tij për udhëheqjen e vendit.

Jamal Khashoggi është vrarë në konsullatën saudite në Stamboll, tri javë më parë, kanë thënë hetuesit.

Prokurori publik i Arabisë Saudite do të udhëtojë drejt Turqisë të dielën.

Zyrtarët sauditë e mohojnë përfshirjen e familjes mbretërore në vrasje.

Dy ditë më parë, Salah Khashoggi u fotografua duke marrë ngushëllime nga princi i kurorës, Mohammad Bin Salman.

Vëzhguesit e përshkruan takimin si të ftohtë dhe disa thanë se shfaqja publike mund të ketë qenë çmimi që Salah ka paguar për t’u lejuar që të ikë nga vendi.

Një zëdhënës amerikan tha se sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, u ka thënë udhëheqësve sauditë se dëshiron që Salah Khashoggi, shtetas amerikan dhe saudit, të kthehet në SHBA dhe se është “i lumtur” që ai është lejuar.

Nuk është e qartë se sa kohë Salah Khashoggi planifikon të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara.