Ndeshjet derbi nuk janë aspak të lehta. Tensioni që krijohet në fushë në këto raste është vetëm një pjesë e kaosit që pushton qytetin për javë të tëra, para dhe pas ndeshjes. Kur ka dy (ose më shumë) skuadra në të njëjtin vend do të thotë se ka shumë tifozë rivalë që janë në të njëjtën klasë, punojnë në të njëjtën kompani, konsumojnë birra në të njëjtin lokal.
Nuk është aspak e lehtë të durosh presionin pas një humbjeje. Akoma më shumë kur derbi zhvendoset brenda së njëjtës shtëpi. Për këtë arsye, një tifoz i Arsenal-it kërkon ta zgjidhë problemin sa është në kohë. Ose të paktën kështu beson. Ai është vënë në kërkim të një hipnotizuesi për të “shëruar” djalin e tij.
Djali gjashtëvjeçar duket se është prekur nga sëmundja e “Spurs-llëkut”, e cila konsiderohet e papranueshme në shtëpitë bardhekuqe të Londrës. Babai, siç ka shkruar “Mirror”, ka vendosur të takohet personalisht me një specialist, por pasi kërkesa e tij është refuzuar, ai ka nisur kërkimet për të gjetur një hipnotizues në internet.
Paratë nuk janë një problem për babanë tifoz të Arsenal-it, i cili është gati të shpenzojë deri në 3000 £ dhe këtë e ka specifikuar në lajmërimin e bërë në faqen “Bark.com”, duke shtuar se gruaja e tij nuk di asgjë në lidhje me këtë çështje. Madje, ai ka dhënë edhe një shpjegim për këtë: “Është më e lehtë të kërkosh falje se të kërkosh leje”.
Burri ka shtuar edhe se ka marrë disa shpërblime në punë dhe se është i gatshëm t’i investojë në kurimin e djalit të tij, me kusht që ai të shërohet para fillimit të sezonit të ardhshëm.
Nga fundi i lajmërimit, ai ka sqaruar se do ta dojë gjithmonë djalin e tij pavarësisht nga gjithçka, por duket se për të do të ishte më e lehtë të kujdesej dhe të merrej me edukimin e një djali tifoz me Arsenal-in se të njërit që mbështet rivalët e Tottenham-it.